Manchester City mund të urohet më herët për titullin e dytë rresht në Premier League, pasi asnjë ekip tjetër në këtë sezon nuk duket aq i fortë sa është City i drejtuar nga Pep Guardiola.
11-të pikë është dallimi i liderit Cityt me vendin e dytë Liverpoolin, që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Gara në vazhdim të Premier Leagues pritet të bëhet mes skuadrave që kërkojnë mbetjen në elitë, por edhe atyre që synojnë garat evropiane.
Padyshim që ndeshja më e fortë e fundjavës në Premier League do të luhet të dielën në orën 17:30. Chelsea ballafaqohet me Tottenhamin në kuadër të xhiros së 23-të.
Chelsea ka qenë bindshëm më i mirë se Tottenhami në ndeshjet e ndërsjella në sezonin aktual. Tri fitore gjithsej, një në ligë dhe dy në gjysmëfinale të Kupës EFL. Asnjë gol i pranuar. Të gjitha këto i arriti ndaj skuadrës që drejtohet nga Antonio Conte. Tekniku italian shkëlqeu vite më parë me Chelsean kur u shpall kampion.
Një barazim pa gola ishte ai i nëntorit të vitit 2020 dhe Chelsea nga ajo kohë nuk ka humbur dhe madje nuk ka pranuar gol fare nga Spursi në pesë ndeshje.
Në fakt, humbja e fundit e Chelseat nga Tottenhami ka qenë ajo e janarit të vitit 2019.
Tottenhami i ka fituar vetëm shtatë nga 59 paraqitjet në Premier League kundër Chelseat, teksa e ka fituar vetëm një në 39 duelet si mysafir i Chelseat në të gjitha garat. Në ligë për herën e fundit si mysafir fitoi në prill të vitit 2018. Antonio Conte në atë kohë ishte trajner i “bluve të Londrës”.