Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Challandes flet për pritjet për “Euro 2020” e prurjet e reja 

Foto: Koha

Sporti Total, i fundit për këtë vit vjen me intervistën e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes.

Sa din shqip, si e zgjodhi Kosovën, kush janë emrat e ri të Kombëtares dhe çfarë i thonë nga Federata e Zvicrës për futbollistët që zgjedhin Kosovën, i zbulon vet trajneri zviceran për KTV-në.

Kjo është intervista e plotë:

KTV: Zotëri Challandes, faleminderit që pranuat një intervistë për televizionin tonë për ne. Nuk besoj se e kuptuat mirë, çfarë thashë?

Challandes: E kuptova vetëm pjesën 'faleminderit'.

KTV: Çfarë di nga gjuha shqipe? Çka keni mësuar deri më tani?

Challandes: Mund të them që jo edhe shumë. 'Mirëdita', 'Faleminderit', ndoshta edhe disa fjalë të tjera.

KTV: Mendoni që është gjuhë e vështirë?

Challandes: Shumë e vështirë. Ndoshta është e nevojshme, nuk e di. Me ekipin, nuk është edhe aq e rëndësishme. Mund të komunikojmë së bashku në gjuhën angleze, gjermane, franceze, kjo është më mirë për ekipin. Nuk mendoj se (gjuha) është një problem.

KTV: Ju po thoni se është e vështirë gjuha shqipe, por sa është e vështirë të punosh me shqiptarët?

Challandes: Do të ishte sigurisht më mirë, sikur unë të flisja pak më shumë gjuhën tuaj, por më të rëndësishme mendoj se janë disa gjëra të tjera, që kanë lidhje me ekipin.

KTV: Ju jeni këtu për më pak se një vit. Si mund t'i përshkruash shqiptarët e Kosovës këtu, që nga koha kur ju u emëruat trajner dhe tani kur ne po mendojmë edhe për EURO 2020?

Challandes: Jam shumë i lumtur që jam këtu. Këtë ofertë e pranova nga Fadil Vokrri. I studiova të gjithë lojtarët, çfarë ekipi është dhe për mua ishte e qartë. E bëra një analizë timen, pasi ekipi po pranonte shumë gola. Nuk po shënonte gola njëkohësisht, vetëm tre gola gjatë kualifikimeve të fundit. Të gjithë më thoshin, “ne kemi shumë sulmues, kemi shumë lojtarë të talentuar për fazën e sulmit dhe nuk e kemi një mbrojtje të mirë. Për mua nuk ka qenë vetëm ky problem. Menjëherë pas startit në mars, i kam parë futbollistët, kemi folur rreth ekipit, rreth kualifikimeve dhe për mua, pika e parë ishte qartë, ne duhet të luajmë si ekip. Dhe ky ishte problemi, jo vetëm shqetësimi në mbrojtje. Kjo do të thotë se kjo nënkuptonte veçanërisht sulmuesit apo edhe mesfushorët, duhet të ndihmojnë më shumë mbrojtjen. Ky ishte qëllimi i parë. Të punojmë si ekip, të luajmë si ekip. Jo vetëm lojtarë të mirë individualisht, por si ekip. Kjo ishte shumë e rëndësishme.

Më kujtohet takimi i parë me ekipin, e kam shkruar në tabelë, KOSOVO, i kam veçuar të tri O-të dhe, KO - SO - VO dhe së bashku, së bashku, së bashku. Për të ëndërruar suksesin, kjo ka qenë për mua e rëndësishme.

KTV: Ju i keni njohur shqiptarët edhe më parë. Ju jeni nga Zvicra, aty ku jetojnë rreth 200 mijë kosovarë dhe ju po ashtu kishit mundësinë t'i udhëhiqnit disa prej tyre. Çka ka qenë vendimtare për ju, të pranoni punën te Kosova?

Challandes: Problemi me shqiptarët, lojtarët kosovarë, ok unë e di, unë isha përzgjedhës i kombëtares në Zvicër me Behramin, me Shaqirin, me Xhemajlin, me shumë lojtarë, jo vetëm nga Kosova, por edhe Mehmedi. Unë kam qenë gjithnjë i befasuar, por i kënaqur, me lojtarë të tillë, pasi ata kanë treguar mendësi të mirë, agresivitet pozitiv, shumë teknikë dhe lojtarë të mirë, me ambicie, me qëllime në kokën e tyre, dhe për mua, të vendos për Kosovën, e kisha në kohën time, një ndjenjë shumë të mirë. Menjëherë kam menduar, me lojtarë të tillë, ne mund të bëjmë diçka. Nuk do të jetë e lehtë, natyrisht, sepse ndonjëherë nuk është e lehtë me kosovarët, apo me popullin e Kosovës, por me karakterin që kanë, ata duan të bëjnë diçka për të ardhmen. E kam parë mundësinë, lojtarët. Në rregull, mund të punoj me këtë ekip. Me këtë mendësi po ashtu. Dhe menjëherë, ka qenë kjo puna kryesore, ta formojmë ekipin. Ka qenë synimi im i parë, vendimi im i parë.

KTV: Cili ka qenë mendimi juaj i parë, kur veç ishit duke u përmendur për punën te Kosova, kur njerëzit erdhën te ti për të diskutuar për punën te Kosova? Ku po shkoj, çfarë ekipi?

Challandes: I kemi pasur këto kampet e para në Paris, me dy ndeshjet menjëherë kam biseduar për këtë problem, për ekipin. Menjëherë kam parë, shembull pranimi i 23 apo 34 golave. Pse? Pse? Pse i kemi pranuar këta gola? Gjithnjë ishte e njëjta. Shembull, ne e humbim topin dhe pas kësaj i kemi 4 apo 5 lojtarë, jashtë loje. Gjithnjë 4-5 lojtarë pas topit, por të vetmuar. Dhe kundër Kroacisë, kundër Turqisë, kundër këtyre ekipeve është e pamundur. Ne mund ta humbim topin, por menjëherë të vijë reagimi, 'gegenkontër', presingu, kthimi, vrapime të shpjeta, por si ekip. Dhe me këtë ide, ne kemi punuar të përgatitje. Për mua kanë qenë të rëndësishme këto dy ndeshje, për të mos pranuar gola. Rezultatet ishin 1:0 dhe 2:0, më kujtohet nuk kemi pranuar gola. Ka qenë e mirë, edhe për lojtarët. Ne mund të shkojmë hap pas hapi, mund ta formojmë një ekip për mua me rëndësi tani është të rritemi dhe jam i sigurt tani është më ndryshe, sepse deri më tani, ne kemi luajtur kundër ekipeve të mira. Por jo kundër top-ekipeve, në Evropë. Ne kemi treguar, ekipi ka treguar, se ne jemi më të mirë se bie fjala Malta, Azerbajxhani, Ishujt Faroe, ndoshta edhe më e mirë se Shqipëria. Por, tani jemi në hapin tjetër, është më ngazëlluese tani, sepse po nisim një periudhë të re me ekipin. Shpresoj se e kemi treguar, se ne nuk jemi në vazon e fundit, por ndoshta në vazon e pestë apo të katërt. Dhe me ndeshjet kundër Malit të Zi, miqësoren që do ta kemi me Danimarkën, kundër Republikës çeke, ok, ndoshta Anglia është një nivel shumë më i madh, por është me rëndësi për mua, për përparimin.

KTV: Që nga fillimi juaj me Kosovën, ne jemi përralla e bukur në Kosovë, në Evropë, ndoshta edhe në botë. Të gjithë po flisnin për Kosovën, të gjithë flasin për kampanjën tonë, asnjë humbje, asnjë gol i pranuar, si ishte kjo pjesë dhe t’ju pyes edhe për Fadil Vokrrin, sa ka qenë ai i rëndësishëm për ekipin për Federatën dhe për ju personalisht?

Challandes: Me Fadilin, ishte e qartë menjëherë. Ne kemi biseduar për futbollin, por nuk kemi biseduar, bie fjala, për rezultate. Në fillim, nuk isha i interesuar për rezultate. Nuk jam trajner që mund të them se sot duhet të luajmë 1:1, apo 0:0 apo të luajmë baras. Për mua më i rëndësishëm është, gjithnjë i njëjti parim: të luajmë mirë, të kemi filozofi të lojës. Duhet të njohim ekipin dhe kombëtaren e Kosovës. Dhe ne kemi vendosur, unë kam vendosur, me këta lojtarë, të luajmë me një sistem dhe të sulmojmë. Sepse ne kemi shumë lojtarë të mirë për fazën e sulmit. Por, është e qartë po ashtu në futbollin modern, ne duhet të mbrohemi. Dhe, duhet të mbrohemi me 11 lojtarë. Ky ka qenë ndryshim më me rëndësi për mua, në ekip, në kokat e lojtarëve. Ata kanë punuar për ekipin, në sulm e në mbrojtje. Dhe ne kemi mbrojtës që mund të shkojnë përpara në sulm, Kololli ka shënuar tri herë, e kemi edhe Vojvodën, që na jep harkime, por kemi edhe sulmues, që mund të mbrojnë. Zeneli ndihmon prapa, Rashica, Zhegrova, lojtarët e tjerë, mesfushorët mbrojtës po ashtu. Me Fadilin, bie fjala, kemi folur për disiplinën, sepse disa herë, kishte pasur probleme, nuk e di dhe nuk dua të flas për atë kohë, por ai më tha: Duhet të jesh i ashpër me këta lojtarë. Në rregull, unë nuk jam i ashpër, sepse kjo nuk është natyra ime. Por, dua disiplinë, dua rregulla për ekipin dhe gjithnjë parimi kryesor, gjithmonë ekipi në rend të parë. Dhe jo unë, unë, unë, por ne, ne dhe ne. Dhe, nëse një lojtar nuk e pranon këtë situatë, ai nuk mund të luajë me ne. Nëse një lojtar nuk pranon të zëvendësohet, nuk dua të them se ai duhet të jetë i lumtur, por ai duhet të jetë i qetë, ai duhet të stërvitet me ekipin për ekipin, të mos shqetësojë, kjo është e rëndësishme. Dhe, nëse një lojtar nuk i pranon këto situata, ai nuk mund të luajë për Kosovën tonë.

KTV: A ka pasur probleme të tilla, apo a ka ende probleme?

Challandes: Si trajner i kombëtares, ne kemi gjithnjë probleme të tilla dhe ne duhet të flasim me lojtarët, por edhe t'i tregojmë kufijtë. Dhe nëse kjo nuk shkon mirë, mundësitë janë të mira për përzgjedhësin, ai nuk e merr atë lojtar. Në klub e ke lojtarin me kontratë për një, dy apo tri vjet, por për trajnerin e kombëtares, nuk e pranon dhe nuk ka probleme. Qëndron në klubin tënd dhe unë marr dikë tjetër. Sepse, gjithnjë është dikush që do të luajë, madje edhe si zëvendësues.

KTV: Duket si një problem luksoz, duke pasur lojtarë të shumtë cilësorë?

Challandes: Nuk mund të themi se kemi problem luksoz, por tani kemi më shumë lojtarë dhe me këtë problemin tjetër, Kosova, Shqipëria, apo Zvicra, Gjermania, apo Austria, pasi çdo lojtar tani ka dy apo tri mundësi, nuk është problem për mua, por është një situatë e qartë. Dhe më duhet ta pranoj këtë, për shembull, ne tani kemi shumë lojtarë të rinj cilësorë, në Gjermani, Zvicër apo Austri. Ne flasim me ta, unë i vëzhgoj ata, por lojtarët e lindur në vitin 2000 apo 2001, në Gjermani tani një lojtar, ka luajtur për Stuttgartin, ky lojtar do që të presë pak, sepse nëse ke gjasa të luash për Gjermaninë, apo me Zvicrën, ndoshta është zgjedhja e parë, dhe unë më duhet ta pranoj. Nëse luan me ekipin U 19, U 20, të Gjermanisë dhe unë jam babai i një lojtari nga Kosova, që luan për Gjermaninë, unë nuk mund t’i them ‘shko luaj për vendin e gjyshërve të tu’. Nëse ai ka një gjasë me Gjermaninë, në rregull presim pak. Nëse merr ftesën nga Gjermania, ok, shko luaj për Gjermaninë, për mua nuk është më problem nëse lojtari apo familja e tij më thonë: ju lutem na prisni pak, unë do të pres.

KTV: Ky ka qenë problemi kryesor i lojtarëve nga Kosova që luanin për Zvicrën, sepse luanin në nivele të larta, apo për Gjermaninë, çfarë duhet të mendojë lojtari që të vendosë të luajë për Kosovën? A jemi ne një mundësi, një opsion real për lojtarin të vendosë për Kosovën?

Challandes: Është shumë normale, nëse opsioni është Gjermania apo Kosova, është normale, që Gjermania dhe për mua është në rregull. Nuk është një ofendim për Kosovën. Albian Ajeti i Zvicrës, e njoh shumë mirë, e kam përcjellë atë, ai ka qenë top-golashënuesi në Zvicër. Ai mund të luajë me Zvicrën, mund të luajë edhe në kampionatin evropian, ai më ka thënë opsioni im është Zvicra. Ne e kemi pasur problemin me Shqipërinë, ndoshta jo një problem, por një situatë me Shqipërinë, që luajti në Evropianin në Francë. Kishte shumë lojtarë nga Zvicra, sidomos në ndeshjen Shqipëria - Zvicra, në Francë, në të njëjtin grup, dhe ne thoshim, është Zvicra A kundër Zvicrës B.

KTV: Apo Shqipëria A, kundër Shqipërisë B?

Challandes: Po, edhe ashtu. Taulant Xhaka ka luajtur për Shqipërinë, s’kishte gjasa me Zvicrën dhe kjo është normale, ishte Abrashi, Kukeli, ishte Sadiku, shumë lojtarë, apo edhe Veseli. Dhe tani është situatë ndryshe, por ndoshta, tani konkurrenca nga Shqipëria nuk është më e madhe. Në fillim nëse keni pasur mundësi me Shqipërinë në këso kohe, apo Kosova para dy-tre vjetësh, ju e zgjidhni Shqipërinë. Pasi mund të luash në Francë, por tani ndoshta më tepër favorizohet Kosova dhe kjo është e mirë për ne, e mirë për mua.

KTV: Kemi pasur situata kur lojtarët nga Kosova U21, lojtarë që ju i keni ftuar për Kombëtaren A, kanë vendosur të luajnë për Shqipërinë, me një vendim sipas tyre, që janë të pakënaqur, me trajtimin, apo që nuk kishin kohë të mjaftueshme për të luajtur te Kosova. Kanë qenë dy raste, së fundi. A është ky një lloj shantazhi për Kosovën dhe për trajnerin?

Challandes: Nuk e di saktësisht çfarë u kanë thënë atyre, ata në Shqipëri. Nëse u kanë premtuar diçka, kam qenë i befasuar me vendimin e Ardian Ismailit dhe kam qenë i zhgënjyer. Në fund të fundit, ai ka zgjedhur dhe nuk është problem për mua. Ai ka qenë me ne, por nuk po luante me ekipin e tij, Hajduk Splitin. Nuk ishte i kënaqur që nuk po luante dhe këtë mund ta kuptoj. Por, edhe ai duhet ta kuptojë situatën time, si trajner. Ai ka vendosur ndryshe. I uroj fat, apo siç themi ne në frëngjisht "bon vent". Lojtari duhet të jetë krenar dhe të thotë: ok do të luajë për Kosovën, dua të luaj për Kosovën. Jam krenar që po luaj për Kosovën. Dhe me lojtarë të tillë unë mund të bëjë një ekip të mirë.

KTV: Ju jeni nga Zvicra dhe siç e thamë, ka shumë lojtarë që mund të zgjedhin Shqipërinë, Kosovën apo Zvicrën. A keni problem me Federatën e Futbollit të Zvicrës, duke iu referuar këtyre problemeve?

Challandes: Nuk mund të them probleme, por disa herë ata kanë folur me mua, së fundi kur ishim në Dublin, në shortin për kualifikime, jam takuar me njerëzit e Federatës zvicerane dhe ata më thoshin ‘hej ke kujdes ë’. Unë nuk jam i ashpër me këtë situatë, vetëm se ka qenë e qartë. Është rasti i Bastien Thomas te Sioni. Ka luajtur shumë mirë me klubin, tani mund edhe të kalojë te një skuadër tjetër. I kam thënë që, nëse vendos të luajë për Kosovën, unë do të jem i lumtur me këtë. Vetëm këtë ia kam thënë. Unë nuk i kam premtuar asgjë, nuk e thërras çdo javë në telefon, e njoh shumë mirë situatën e tij. Kam biseduar edhe me prindërit, edhe me agjentin, pasi disa herë, agjenti është më i rëndësishëm në këtë vendim. Më kanë thënë të rri i qetë dhe të pres. Unë do të presë, pa problem. Sa i përket Zvicrës dhe federatës, kam punuar 10 vjet aty dhe ata më njohin se unë jam i sinqertë, edhe ata duhet ta pranojnë këtë një lojtar, si Behrami që ka vendosur, Shaqiri po ashtu, Xhaka ka vendosur për Zvicrën. Problemi është se një lojtar nga Kosova, në një tjetër vend i kalon dhjetë vjet, apo 5-6 vjet në kombëtare të ndryshme, U15, U16 U17, U18, U19, pas kësaj, ai shkon e vendos për dikë tjetër. Të gjitha përgatitjet, federata i ka paguar për të, kanë investuar në të dhe pas kësaj, lojtari thotë nuk dua më të luajë për ju. Në këtë situatë, mund të jetë një problem, por ne e kemi parë në Zvicër, kemi shumë lojtarë me dy shtetësi dhe që kanë vendosur për Zvicrën. Ne e kemi humbur vetëm një lojtar dhe unë isha atëbotë trajner i Zvicrës U21, me Rakitiqin. Rakitiqi ka luajtur me ekipe të ndryshme të grupmoshave. Mendoj se ne e kemi humbur vetëm Rakitiqin.

KTV: Përmende më parë emra të lojtarëve, si Toma, Bastien Toma, aty është edhe Hadërgjonaj. A mund të kemi fytyra të reja në për Kualifikimet e EURO 2020?

Challandes: Ne kemi disa lojtarë të cilët duhet të vendosin. Hadërgjonaj është njëri nga këta lojtarë. Konkurrenca te Zvicra në pozitën e tij është shumë e madhe, si mbrojtës i djathtë. Bastien Thoma është i ri, është 19-vjeçar, kjo do të thotë se ai mund të luajë me ekipi U21, është një tjetër çështje me të. Por, Hadërgjonaj nuk mund më të luajë për U21, kështu që ai duhet të zgjedhë të luajë për Kosovën, apo për Zvicrën. Por, te Zvicra nuk do ta ketë të lehtë, kështu që unë shpresoj që ai do të vijë të luajë për Kosovën.

KTV: A keni folur me të rreth kësaj situate?

Challandes: Ne kemi folur për këtë. Ai ka qenë me ekipin kombëtar, jo në grumbullimet e fundit, por më parë, nuk ka luajtur ndoshta ai mendon se ka ende gjasa për ekipin e parë të Zvicrës, por ai e di saktësisht se unë jam gati ta marrë atë. Ne duhet të qëndrojmë të qetë rreth punës së tij. Ne kemi shumë lojtarë, nëse mund ta marrim një apo dy apo tre më shumë, është shumë mirë, nëse edhe na duhet të presim pak, sepse kemi lojtarë të rinj dhe të talentuar. Sepse, ne tani po luajmë në nivele të larta dhe nuk mund të mendojmë se një lojtar i ri nga Kosova, po luan tani 10 minuta me Sttutgartin dhe mund të luajë me Kombëtaren. Jo. Niveli tani është i mirë dhe kundërshtarët po ashtu. Ne duhet të caktojmë një kufi. Duhet edhe të jemi të durueshëm. Kemi raste kur familja e lojtarit duan që lojtari të luajë për Kosovën, por menjëherë duan të luajnë në ekipin e parë. Ne kemi ekipe të mira të Kosovës me U17, U19, U21, ka edhe rezultate të mira, duhet të luajnë aty fillimisht dhe më pastaj, në ekipin e parë. Ndoshta ndonjëherë edhe më shpejt. Por, tani Kosova ka një ekip. Ka qenë koha kur na duhej të merrnim lojtarë, ejani ju lutem ejani, pasi nuk kishim lojtarë të mirë, cilësorë, duke e ditur edhe konkurrencën nga Shqipëria, por tani nuk është më kështu. Nuk jemi Franca apo Anglia, por ne kemi një ekip të mirë dhe nuk mundet dikush të vendosë të vijë dhe të luajë menjëherë.

KTV: Nuk folëm për Ligën e Kombeve, arritjen e Kosovës, është gjëja më e madhe në vitin 2018 në Kosovë, për të gjithë tifozët. Kanë qenë vetëm rreth 13 mijë bileta për stadium, por ka pasur me qindra mijëra kërkesa për një biletë. Si ka qenë Liga e Kombeve?

Challandes: Kur po flisnim për vendimin për ta marrë Kosovën, Liga e Kombeve ishte arsyeja e madhe për mua.

KTV: Të gjithë e kritikonin Ligën e Kombeve...

Challandes: Po, por jo në Ligën D. Në Ligën D, ishte mundësia, menjëherë e kam menduar me Ligën e Kombeve, është e mundur për ne. Për mua ka qenë një shans i madh. Më pas, kanë qenë rezultatet e mira, por jo vetëm rezultatet, ka qenë përparimi në këtë ligë. Përparimi me lojtarët dhe me ekipin në këtë ligë. Triumfi në Ligën D, ka qenë diçka fantastike, për ne, për njerëzit për tifozët, përkrahja ka qenë e jashtëzakonshme. Lojtarët e kishin një ndjenjë shumë të mirë, në këtë ligë, ndeshje pas ndeshjeje. Ishin mundësitë, ishte ëndrra, sepse në fillim, para ndeshjes së parë, në Ligën e Kombeve, kam thënë ne po fillojmë tani një rrugëtim dhe mund të luajmë në Evropian. Është e jashtëzakonshme. Po flasim për Kosovën dhe po flasim për kualifikimin e mundshëm për kampionatin evropian, pas dy vjetëve.

KTV: Dhe cili ishte reagimi i lojtarëve, i stafit?

Challandes: Mendoj se ishte e njëjtë, jo vetëm për mua. Dukej qartë që ishte e mundshme. Normalisht, jo aq lehtë, por ishte e mundshme përmes Ligës së Kombeve. Gjithsesi, së pari duhej ta fitonim grupin. Në kokën time, duke e parë edhe orarin e ndeshjeve, para sysh e kisha ndeshjen e fundit, në shtëpi, kundër Azerbajxhanit, kjo do të jetë ndeshja kryesore dhe vendimtare. dhe ashtu ndodhi. Ne kemi parë një ekip të fortë në këto ndeshje, mendësi të fortë dhe filozofi të mirë të lojës po ashtu. Kjo ishte pjesa e parë e ëndrrës. Dhe tani janë edhe dy ndeshje. Në mars të vitit 2020. Kjo do të thotë që e kemi më shumë se një vit për përgatitje. Natyrisht të gjitha ndeshjet në kualifikime janë shumë të vështira, por për ne shumë të mira, për rritjen tonë. Por, kundër Maqedonisë, unë kam respekt të madh, më shumë përvojë, ekip i mirë, lojtarë të mirë, çka nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë shumë e vështirë, por e mundshme? Gjithnjë është mundësia. Kam respekt, por nuk i frikësohem. Dhe pastaj ndeshja kundër Gjeorgjisë apo Bjellorusisë, e vërtetë janë ekipe të mira, me përvojë më shumë, lojtarë të mirë, por pse jo? Jam i bindur se në mendjen e çdo lojtari, është aty një copë ëndrre, që mendon se kjo është e mundshme. Do të ishte e jashtëzakonshme për Kosovën, nëse kualifikohet në Evropianin e vitit 2020. Është mrekulli.

KTV: Por, si thua për mundësinë tjetër, kualifikimet për EURO 2020? Në mënyrën normale. Aty është Anglia, një kombëtare e madhe, në grup është edhe Çekia, Bullgaria, Mali i Zi, kombëtare të njohura të Evropës, në veçanti Anglia. Sa jeni të ngazëllyer, ju, ekipi, që do të luajmë kundër Anglisë?

Challandes: Kundër Anglisë, në një ndeshje, ndonjëherë pse jo? Por në fazën kualifikuese është shumë e vështirë, në këtë grup. Qëllimi im në këto kualifikime normale, nuk është të kualifikohemi. Si fillim duhet t'i shohim ndeshjet një nga një. Duhet të shohim ku jemi? Kundër Ishujve Faroe, Maltës, Azerbajxhanit, ne jemi më të mirë. Por, kundër Malit të Zi, Mali i Zi nuk është i lehtë, është një ekip i mirë, lojtarë të mirë po ashtu. Republika çeke apo Bullgaria, nuk janë ekipet më të mira në Evropë. Ne duhet të punojmë shumë së bashku. Jam i ngazëllyer të shoh se ku jemi, kundër këtyre ekipeve. Për mua, për ekipin, për Kosovën, janë dy mundësi.

KTV: Apo edhe tri mundësi? Anglia fiton Ligën e Kombeve, fiton edhe grupin. Çekia, e dyta shkon tutje dhe Kosova e treta?

Challandes: Nëse Anglia e fiton Ligën e Kombeve, ata nuk e sigurojnë kualifikimin. E kanë një tjetër mundësi kualifikimi, nëse nuk e sigurojnë atë përmes kualifikimeve në grup.

KTV: Kjo do të thotë që duhet ta mposhtim Anglinë megjithatë?

Challandes: Gjithsesi, gjithsesi.

KTV: A i përcillni ndeshjet e Superligës së Kosovës pasi pyetja ime lidhet me atë, nëse mund të kemi lojtarë nga Superliga në ekipin kombëtar?

Challandes: Më duhet ta them fillimisht, që nuk më intereson ta di se ku luan lojtari. Për Prishtinën, apo në Brondbi. Apo kudo diku në Evropë. Më duhet të marr lojtarët më të mirë. Kjo është detyra ime si përzgjedhës. Dhe nuk mund t'i jap dikujt rast për një apo dy lojtarë nga Prishtina, apo Peja, apo Trepça, Mitrovica, vetëm pse ata luajnë këtu.

KTV: Ta qartësojmë edhe pak. A kemi lojtarë dhe a keni parë lojtarë në Superligën e Kosovës, që tani mund të luajnë në Kombëtaren A?

Challandes: Tani jo. Sepse, po ta shihja ndonjërin, më duhet ta marr. Dhe unë nuk kam marrë dikë. Një shembull, e kemi (Florent) Hasanin, ai ishte top-lojtar dy vjet më parë këtu dhe menjëherë ai është larguar. Ndoshta ky, po të qëndronte te Trepça, ndoshta, trajneri i kombëtares mund ta marrë, por ai nuk ka qëndruar, ka shkuar në Hungari dhe ai tani është një kandidat për ekipin e parë. Nuk është problemi të luash këtu apo në Evropë. Sa më përket mua, unë duhet të marr lojtarët më të mirë. Dhe nëse e marr një lojtar, unë mund t'ia mohoj një lojtari të mirë mundësinë që luan në një ligë më të mirë. E keni parë herën e fundit, Bernard Berisha nuk ka qenë me ne, Rashani po ashtu jo dhe është shumë lojtar i mirë. Pasi unë tash i kam dy lojtarë të mirë, në anën e djathtë dhe dy në anën e majtë. Unë shpresoj se do ta marr ndonjë lojtar. Menjëherë, nëse ndonjë lojtar është i mirë, në ligë, unë do ta di atë dhe do të vijë. Unë e respektoj kampionatin këtu, ndoshta më duhet të vij të shoh dhe të analizoj, ta bëj një vlerësim të kampionatit, por për momentin nuk është lehtë për lojtarët e kampionatit, lojtarët më të mirë të ligës, të depërtojnë në Kombëtaren A, pasi ju e shihni se nga vijnë lojtarët, që luajnë në Holandë, Gjermani, Suedi, Norvegji, në klube të mira. Nëse më tregoni se është një lojtar i mirë, këtu apo atje, në Prishtinë apo ku ta di unë, unë vij menjëherë dhe nëse ai është më i mirë se të tjerët, që luajnë jashtë, pse jo, do ta marr.

KTV: Ju faleminderit shumë, zotëri trajner.

Challandes: Faleminderit.

Artikuj të ngjashëm