Sport

Çerekshekulli i shpalljes së më të mirëve nga KOHA

Ishte 20 dhjetori i vitit 1997, kur gazeta “Koha Ditore” shpalli për herë të parë sportistët më të mirë të vitit në Kosovë. Redaksia e “Kohës Ditore” vendosi t’u bashkohej gazetave nga vende të tjera që në fund të dhjetorit shpallnin më të mirët e vitit në sport. Ideja për të shpallur më të mirët në sport shkonte përtej vlerësimit të rezultateve të sportistëve. Vlerësohej po ashtu kontributi i sportistëve për vendin në një kohë të vështirë. Në kohë okupimi.

Sporti ishte formë aktive e rezistencës, ndërsa sportistët shiheshin si shembull që sfidat duhet të kalohen dhe ëndrrat e synimet të realizohen. Sportistët kosovarë ishin jashtë objekteve të tyre. Futbolli zhvillohej kryesisht nëpër livadhe, sportet e tjera kryesisht në salla shkollash, larg qendrave të qyteteve.

Por topi nuk u ndal së rrokullisuri. Dhe këtë sakrificë “Koha Ditore” vendosi ta shpërblente me çmime për sportistët më të mirë.

Ishte atleti Zijadin Kryeziu që u shpall më i miri i vitit 1997. Në dhjetëshen më të mirë ishin edhe karateisti Afrim Latifi, futbollisti Jeton Qubreli, karateisti Anton Berisha, hendbollistja dhe atletja Shqipe Bajçinca, shahisti Bedri Sadiku, atleti Naim Malazezi, hendbollisti Edmond Vokshi, basketbollisti Bekim Maxhuni dhe skitari Bujar Turjaka.

Klubi më i mirë i vitit 1997 nga “Koha Ditore” ishte shpallur ai i futbollit “Prishtina”. Klubi i hendbollit të femrave “Prishtina” dhe klubi i hendbollit “Besa” ishin dy klubet e tjera të dalluara atë vit.

Besim Hasani, kryetar shumëvjeçar i Komitetit Olimpik të Kosovës, kishte vlerësuar iniciativën e “Kohës Ditore” për të shpallur më të mirët e vitit.

“Shfrytëzoj rastin që të falënderoj gazetën ‘Koha Ditore’ për organizimin e shpalljes së sportistit të vitit, ndërkaq më të mirëve u uroj suksese edhe në të ardhmen”, kishte thënë Hasani në ceremoninë e bukur të shpalljes së më të mirëve.

Zijadin Kryeziu, që ka një jetë në atletikë, kishte vlerësuar çmimin e ndarë nga “Koha Ditore”, ndërsa gjithë sportistëve shqiptarë u kishte dëshiruar suksese në punë. Kryeziu tani është trajner i suksesshëm i atletikës. Në vitin 1997 ishte pjesë e klubit të atletikës “Prishtina”. Ishte paraqitur në tetë gara të ndryshme atë vit, duke përfshirë dy ndërkombëtare. Ishte në një garë në Stokholm të Suedisë dhe në një tjetër në Shkup.

Në vitin 1997 secila dalje e sportistëve kosovarë jashtë vendit ishte një lloj suksesi. Atë vit tri karateiste të reja kishin fituar medalje në një turne në Mishkolc të Hungarisë dhe ai vlerësohej sukses shumë i madh.

KOHA, pjesë e së cilës shtëpi mediale është gazeta “Koha Ditore”, të premten i shpall sportistët më të mirë të vitit për herë të 25-të, jubilare. Pra, ceremonia “Sportisti i Vitit” feston një çerekshekull. KOHA mburret që ka traditën më të gjatë të shpalljes së sportistëve më të mirë të vitit në vend. Ajo që nisi me një ceremoni të bukur në vitin e largët 1997 vazhdon ende.