Basketbollisti amerikan Jacob Calloway ka thënë se është larguar nga Peja pasi klubi nuk i është përmbajtur kontratës që kishte me të.
Peja më herët të martën doli me njoftim për largimin e Callowayt. Sipas klubit, ai nuk ka pasur asnjë problem te Peja.
Por amerikani thotë se klubi nuk i është përmbajtur kontratës dhe për këtë arsye është larguar.
“Njoftimi zyrtar i klubit nuk është korrekt në lidhje me atë që ka ndodhur. Nuk dua të flas shumë derisa çështja të përfundoj legalisht. Por, po, nuk jam më pjesë e Pejës. Vetëm dua ta përfundoj këtë në mënyrë të lehtë, pasi tifozët e Pejës dhe qyteti më kanë pranuar mirë dhe ishin të jashtëzakonshëm me mua. Por klubi po mundohet të luftoj për letrën time të lirimit. Ekipi që kam shkuar në Islandë udhëhiqet nga një ish-bashkëlojtar i imi, kështu që ishte lehtë të arrija marrëveshje me të, në momentin që Peja nuk përmbushi kontratën që e kishte ndaj meje. Nuk frikësohem shumë për këtë çështje, pasi kam bërë gjithçka në mënyrë të rregullt dhe jam sjell si profesionist i vërtetë. Kështu që do të pres që kjo çështje të marrë fund”, ka thënë Calloway për KOHËN.