Bundesliga ka arritur marrëveshje me pronarin e të drejtave televizive Sky dhe gjithë transmetuesit tjerë, me përjashtim të njërit, për të parapaguar për pjesën e mbetur të stinorit 2019/20, për të ndihmuar klubet që të mbijetojnë gjatë periudhës së pandemisë.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi ekzekutiv i Ligës së Futbollit Gjerman (DFL), Christian Seifert njofton agjencia Reuters.
Bundesliga është pezulluar që nga mesi i marsit për shkak të përhapjes së koronavirusit, ku janë infektuar në këtë vend mbi 148 mijë persona dhe kanë vdekur mbi 5000. Një rifillim i stinorit pritet në maj, por mbetet te qeveria për të vendosur. Seifert ka thënë se klubet janë të gatshme të rinisin më 9 maj. Po ashtu është thënë se ndeshjet do të luhen pa shikues.
“Bundesliga është e gatshme të rikthehet, pavarësisht nëse më 9 maj apo datë të mëvonshme. Por, nuk mbetet te ne që të gjejmë një datë. Politikanët do të marrin vendimin. Ne nuk kemi definuar një datë të saktë sot”, ka thënë Seifert, që ka shtuar se liga nuk do të konsumojë as 0.4 për qind të kapaciteteve testuese të vendit.
Në rast se vendoset nga politikanët për rikthim, atëherë xhiroja e radhës do të jetë më 9/10 maj, ndërsa e fundit më 27/28 qershor. Po ashtu është caktuar një datë në maj për gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë. Po ashtu është njoftuar nga DFL se do të përkrahet me 7.5 milionë euro Kategoria e Tretë dhe Bundesliga e femrave.
