Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rifillimi i Bundesligës më 16 maj

Bundesliga

Stinori i Bundesligës do të fillojë zyrtarisht më 16 maj. Të enjten është mbajtur një video-konferencë mes krerëve të Ligës së Futbollit Gjerman (DFL) dhe anëtarëve të 36 klubeve të Bundesliga 1 dhe Bundesliga 2.

Ndonëse ishte paraparë që ndeshja be parë të jetë të premten mbrëma më 15 maj, në video-konferencë është vendosur që të mos ketë ndeshje të premten e ardhshme dhe zyrtarisht Bundesliga të rifillojë të shtunën më 16 maj, shkruan Bild.

Kreu i Ligës së Futbollit Gjerman (DFL), Christian Seifert, e ka konfirmuar këtë në konferencë për media pas takimit. Ndeshjet, siç është njoftuar, do të luhen pa shikues. 

Në xhiron e parë pas kthimit të futbollit në Gjermani, do të ketë disa ndeshje, përfshirë edhe ajo mes Borussia Dortmundit dhe Schalkes, që njihet si derbi i luginës Ruhr.

“Interesimi botëror është i madh. Unë shoh raportime nga mbarë bota se jemi liga e parë e madhe që po kthehet. Kjo është e mundur vetëm pasi kemi privilegjin që jetojmë në një vend me një nga sistemet shëndetësore më moderne në botë”, ka thënë Seifert.

Rreth 300 persona, përfshirë lojtarë, staf dhe zyrtarë, do të jenë në stadiume në ditën e ndeshjes.

“Ndeshjet do të kenë ndjesi ndryshe. Pas xhiros së parë ne të gjithë do të kuptojmë pse i preferojmë ndeshjet me tifozët. Por, kjo është korniza në të cilën duhet të punojmë dhe pres sportin më të mirë të mundshëm brenda kësaj kornize”, ka shtuar Seifert. 

DFL po synon të përfundohet stinori deri më 30 qershor, për t’iu përmbajtur kontratës që e ka me sponsorët dhe transmetuesit. Ka paralajmëruar se shtyrja e mëtutjeshme do të rrezikonte mbijetesën e klubeve.

“Xhiroja e fundit do të mbahet në fund të qershorit”, ka thënë Seifert, ku data pritet të jetë 27-28 qershor.

Po ashtu Seifert ka thënë se do të lejohen pesë zëvendësime për një periudhë afatshkurte, nëse FIFA e lejon këtë.

Bundesliga ishte pezulluar që nga mesi i marsit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Të mërkurën qeveria gjermane ka dhënë leje për të vazhduar Bundesliga.

Xhiroja e 28-të do të jetë në mesjavë më 26/27 maj. Në këtë xhiro do të jetë derbi mes Dortmundit e Bayern Muenchenit.

Bayerni pas 25 xhirove e kryeson renditjen me 55 pikë, katër më tepër se Borussia Dortmundi që zë vendin e dytë.

Po ashtu më 16 maj do të vazhdojë edicioni edhe në Bundesliga 2.

Image
Artikuj të ngjashëm