Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bundesliga e Austrisë do të rifillojë në javën e parë të qershorit

Bundesliga e Austrisë në futboll do të rifillojë në javën e parë të qershorit, pas pushimit të detyrueshëm disa javorë shkaku i koronavirusit.

Ministri i i sportit i Austrisë, Werner Kogler, ai i shëndetësisë Rudolf Anschober dhe përfaqësuesit e ligës dhe federatës së Austrisë kanë kumtuar vendimin të martën, raporton “Laola1.at”.

Orari i ndeshjeve do të bisedohet në takimin e klubeve nesër. Por, Bundesliga e Austrisë pritet të rifillojë më 2 qershor pa shikues. Por, më herët do të luhet finalja e Kupës së Austrisë mes Red Bull Salzburgut dhe Austria Lustenaus së Kategorisë së Dytë.

Te Salzburgu luajnë Albert Vallçi e Mërgim Berisha. Te Lustenau luan mbrojtësi i ri 20-vjeçar nga Kosova, Robert Gjergjaj.

Problem për rifillimin kishin qenë rregullat e qeverisë se nëse një lojtar del pozitiv me koronavirus duhet të izolohet gjithë skuadra. Por, qeveria ka vendosur të bëjë lehtësim në këtë pikë, ndonëse do të ketë testime të vazhdueshme.