Sport

Bullgaria pret ndeshje të vështirë në “Fadil Vokrri”

Përzgjedhësi i Bullgarisë, Petar Hubchev, ka lavdëruar Kosovën një ditë para përballjes në Prishtinë në kualifikimet për Euro 2020.

Edhe pse s’ka pasur koment se kush është favorit në ndeshje, Hubchev ka thënë se pret që ekipi i tij të luajë mirë kundër “Kosovës që ka cilësi”.

“Na pret ndeshje e vështirë dhe nuk do të jetë lehtë. Nuk mendoj për ekipin kundërshtar, por për ekipin tonë. E kemi nisur me barazim (me Malin e Zi) dhe në këtë ndeshje do të japim më të mirën. Pres një kundërshtar të motivuar. Kanë lojtarë të mirë dhe luajnë në klube të mira e kanë eksperiencë ndërkombëtare. Kosova luan mirë si ekip, ka cilësi dhe ajo që kemi parë është se luajnë lojë kompakte”, ka thënë ai në konferencën për media, raporton KTV.

Hubchev ka treguar edhe pse s’ka pranuar të stërvisë ekipin në Prishtinë.

“Nuk është e pazakontë sepse e kemi bërë shpesh, pasi largësia nuk është e madhe dhe kemi një qendër të mirë për stërvitje dhe kjo është arsyeja pse s’kemi stërvitur në Kosovë”, ka thënë ai.

Edhe futbollisti Nikolai Mihaylov ka thënë se pret ndeshje të vështirë me Kosovën.

“E dimë çka mund të presim nga futbollistët e Kosovës, por ne do të mundohemi ta japim maksimumin për të dalë sa më mirë nga kjo ndeshje. I njohim anët e mira dhe të këqija të Kosovës. Është ekip i mirë dhe dinë të luajnë mirë”, ka deklaruar ai.

Takimi nis nesër me fillim prej orës 20:45 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.