Armando Broja e ka pranuar se “po dërgon mesazh gjithandej”, por insiston se është i fokusuar vetëm në lojën e tij. Broja është i huazuar nga Chelsea te skuadra e Southamptonit dhe po kalon formë shumë të mirë.
Reprezentuesi i Shqipërisë ka qenë prej emrave më të përmendur në mediat angleze, qëkur trajneri Ralph Hasenhuttl ka thënë se do të kërkojë që 20-vjeçarin, Southamptoni, ta blejë përfundimisht.
Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka thënë të mërkurën se është ende herët të flitet për të ardhmen e tij.
Broja aktualisht i ka pesë gola të shënuar në Premier League, aq sa ka edhe Romelu Lukaku i Chelseat, që u kthye në Angli për 100 milionë funte.
“Natyrisht se dua t’u dërgoj mesazh të gjithëve. Ky jam unë, por jam i fokusuar te vetja ime dhe nuk më intereson se çfarë bëjnë lojtarët apo klubet e tjera. Është mirë që jam në nivel të njëjtë me emra të mëdhenj, por jam i fokusuar te vetja ime dhe mundohem të përmirësohem sa më shumë. Është edhe një mesazh për Chelsean, ekipin tim, trajnerin dhe të gjithë. Por, është nderë që e kam mundësinë me Southamptonin dhe i jam mirënjohës për këtë çdo ditë”, ka thënë Broja për “Daily Echo” pas golit të shënuar ndaj Brentfordit.
Shefi ekzekutiv i Southamptonit, Martin Semmens, është në bisedime me Chelsean për një marrëveshje të mundshme për të. Trajneri Hasenhuttl ka thënë se familja e Brojës është e vendosur që ai të qëndrojë në “St Mary’s” për kohë më të gjatë.