Portieri i Bregut të Fildishtë, Sylvain Gbohouo nuk do të paraqitet në Kupën e Afrikës pasi është pezulluar përkohësisht nga FIFA për shkak se ka rezultuar pozitiv për një substancë të ndaluar.
Pezullimi i portierit të parë të Bregut të Fildishtë, u konfirmuar edhe nga federata e këtij shteti të mërkurën, në prag të ndeshjes së parë në Kupën e Afrikës kundër Guinesë ekuatoriale. Bëhet e ditur se 33-vjeçari ka rezultuar pozitiv në trimetazidine që është një ilaç për zemrën por nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut e kategorizon si stimulues.
Në fakt, ai kishte rezultuar javë më parë pozitiv por Përfaqësuesja e Bregut të Fildishtë shpresonte që ta kishte në dispozicion portierin, të cilin e përfshiu në listën e ekipit për Kupën e Afrikës. Mirëpo, vendimi për pezullimin e përkohshëm të tij është mbështetur edhe nga Komitetit Disiplinor i FIFA-s.
“Në fillim të vitit të kaluar, ne i kërkuam Sylvianit që të bënte një ekzaminim të syve siç e bëjnë shpesh portierët. Ai e bëri dhe mjeku i dha një ilaç, të cilën nuk e ka përdorur prej muajit mars. Ne u informuam për rezultatin më 27 dhjetor por ne ia treguam FIFA-s recetën”, ka thënë përzgjedhësi i Bregut të Fildishtë, Patrice Beaumelle.
FIFA ka bërë të ditur se Bregu i Fildishtë ka 20 ditë në dispozicion për të paraqitur një apel zyrtar. Bregu i Fildishtë është pjesë e Grupit E të Kupës së Afrikës dhe sonte prej orës 20:00 përballet me Guinenë Ekuatoriale. Pjesë e këtij grupi janë edhe Algjeria e Sierra Leone që luajtën pa gola të martën.