Brazili duhet të përballet me dëmtime të shumta që përfshijnë edhe yllin Neymar, ndërsa rinisin kualifikimet për kampionatin botëror “Katari 2022” këtë javë derisa Argjentina ka telashe të ngjashme për duelin me Paraguain, ku synon të vazhdojë formën e përsosur që e ka treguar deri më tash në shtëpi. Kampioni i “Copa Americas”, Brazili, e pret Venezuelën të premten në Sao Paulo, ku synon fitoren e tretë rresht në po aq ndeshje të zhvilluara, pasi kualifikimet për Botërorin e vitit 2022 i nisi me fitore ndaj Bolivisë dhe Perusë. Sidoqoftë, trajneri i Brazilit, Tite, do të jetë pa sulmuesin Neymar pasi lojtari më i shtrenjtë në botë pësoi dëmtim në kofshën e këmbës derisa ishte duke luajtur për Paris Saint-Germainin muajin e shkuar në Turqi në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Neymar 28-vjeçar shënoi “hat-trick” në fitoren 4:2 në Lima në ndeshjen e fundit për të tejkaluar Ronaldon si golashënuesi i dytë më i mirë në histori të Brazilit. Neymar deri më tash ka shënuar 64 gola me fanellën e Brazilit, 13 më pak sesa Pele që e mban rekordin. Pavarësisht lëndimit të tij, Neymar do të vazhdojë të udhëtojë me skuadrën mes shpresave se ai mund të shërohet në kohë për t’u paraqitur në ndeshjen që Brazili e luan në udhëtim ndaj Uruguait më 17 nëntor. Sidoqoftë, koordinatori i ekipit kombëtar Juninho Paulista tha që Tite i tha drejtorit sportiv të PSG-s, Leonardos, se ai “kurrë nuk do të rrezikonte shëndetin e një lojtari”. Qendërmbrojtësi Thiago Silva ka forcuar mbrojtjen e skuadrës së Chelseat që nga transferimi i tij në Angli, por 36-vjeçari ka paralajmëruar që lista e mbingarkuar globale e ndeshjeve po i dëmton shumë futbollistët.
“Ne po humbasim lojtarë të infektuar nga Covid-19, ose të tjerë që lëndohen, sepse po luajmë shumë ndeshje. Ne nuk jemi makineri. Duhet të kursehemi pak, sepse orari i ndeshjeve është tejet i ngarkuar”, tha Silva. “Ne pamë që studimet e fundit po tregojnë se ka më shumë gjasa që të lëndohemi pas katër ose pesë ndeshjeve që zhvillohen çdo tri ditë. Kjo është shumë shqetësuese për ne”.
Ndërsa portieri i Liverpoolit, Alisson Becker, dhe sulmuesi i Manchester Cityt, Gabriel Jesus, janë kthyer pas lëndimeve, Brazili për ndeshjet kualifikuese të këtij muaji do të jetë pa Casemiron, Philippe Coutinhon e Fabinhon, që janë të lënduar. Megjithatë, edhe Argjentina nuk do të jetë e kompletuar. Argjentina që nisi këto kualifikime me fitore të ngushta ndaj Ekuadorit dhe Bolivisë shpreson që ylli Lionel Messi të jetë i aftë për të dy ndeshjet me Paraguain dhe Perunë. Sulmuesi i Barcelonës thuhet se po vuan nga lëndimi i kyçit të këmbës, duke lënë përzgjedhësin e Argjentinës, Lionel Scaloni, të marrë në konsideratë opsionet e tjera nëse kapiteni i tij nuk do të jetë i gatshëm. Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala mungon përsëri për shkak të një lëndimi derisa mungon edhe Sergio Aguero i Manchester Cityt. Mungesat e shumta kanë detyruar Scalonin të ftojë Angel Di Marian, i cili ishte tërhequr para një viti. Lautaro Martinez ka gjasa të jetë titullar dhe t’i prijë sulmit, por në stërvitjet e para të Argjentinës është stërvitur i diferencuar. Kështu që për momentin në sulmin e Argjentinës është i disponueshëm vetëm Joaquin Correa i Lazios, ndërsa mbetet të shihet nëse Scaloni do t’i besojë Lucas Alarios që ka shënuar shtatë gola në katër paraqitjet e tij të fundit në Bundesligë me fanellën e Bayer Leverkusenit.
Uruguai takohet me Kolumbinë në Barranquilla të premten në tentim për të harruar humbjen e muajit të shkuar nga Ekuadori (4:2). Luis Suarez është golashënuesi kryesor i Uruguait në këto kualifikime me tre gola të shënuar, të gjithë nga penalltitë. Mesfushori i Real Madridit, Fede Valverde, është jashtë listës për shkak të lëndimit që e mori te Real Madridit derisa do të mungojë edhe Maxi Gomez që mbetet i lënduar. Trajneri argjentinas Gustavo Alfaro është zotuar se do të përpiqet me “zemër dhe shpirt për të çuar Ekuadorin në Katar”, pasi nuk arritën të kualifikoheshin për botërorin “Rusia 2018”.
Edhe
Neymari kthehet te Brazili pas 16 muajsh
“Kemi synime të mëdha që mendoj se mund t’i arrijmë me këtë ekip, ndonëse situata më lëndime nuk është e mirë. Siç kam thënë, sfida është që ta kthej shpresën në realitet. Unë nuk jam këtu për të menaxhuar një ekip, por më shumë për të fituar. Më duhet të pranoj se do të jetë një zhgënjim nëse nuk jemi në Botërorin e vitit 2022”, shtoi Aflaro që me ekipin e tij luan të enjten kundër Bolivisë.
Nënkampioni i “Copa Americas” në vitin e kaluar, Peru, të premten luan me Kilin – ekipin që triumfoi në këtë turne në vitet 2015 dhe 2016. Si Peruja ashtu edhe Kili po kërkojnë këndelljen këtë muaj, pasi në dy xhirot e para të këtyre kualifikimeve kanë tubuar vetëm nga një pikë.