Ramiz Brahimaj po vazhdon përgatitjet për debutim në UFC, serinë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera.
Luftëtari shqiptar që karrierën e zhvillon në SHBA, do të debutojë të shtunën në mbrëmjen që do të organizohet në Las Vegas.
Dustin Poirier dhe Dan Hooker do të përballen në luftën kryesore të asaj mbrëmjeje. Brahimaj do të përballet me japonezin Takashi Sato.
Brahimaj ka vite karrierë në MMA, por debutimi i suksesshëm në UFC vlerësohet me shumë peshë. Ai aktualisht po shmang intervistat, ndërsa ka premtuar se pas luftës do të flas për mediat shqiptare, “mediat e vendit të tij”.
Deri më tani në UFC prej shqiptarëve ka garuar vetëm Ilir Latifi.
“Së pari do të flas për mediat në Kosovë e Shqipëri e më pas për ato në SHBA. Kur të kryej luftën dhe kur të fitoj, shpresoj, do të flas së pari me njerëzit e mi në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë Brahimaj për KOHËN të hënën.
Brahimaj garon në kategorinë uelter, kurse është paraqitur deri më tani në seri tjera të MMA-së. Ka fituar tri prej pesë luftërave të fundit. 27-vjeçari ka bilanc prej tetë fitore e dy humbje.