Piloti finlandez i Mercedesit, Valtteri Bottas e ka fituar garën e Shpërblimit të Madh të Rusisë në Formula 1 të dielën, pasi kolegu i tij i skuadrës dhe lideri Lewis Hamilton, mori ndëshkime me kohë ende pa filluar gara.
Hamilton, që startoi nga pozita e parë garën në Sochi, synoi sot të barazonte rekordin e legjendës Michael Schumacher, prej 91 fitore të shënuara në Formula 1. Por ai u desh të kënaqej me vendin e tretë, duke përfunduar pas Bottasit dhe Max Verstappenit të Red Bullit.
Ai ka akuzuar kontrollorët e garës që po tentojnë të ndalojnë fitoret e tij dhe i ka quajtur çmenduri ndëshkimet që iu dhanë.
“Ata po mundohen të më ndalin, apo jo?” – ka thënë Hamilton.
Hamilton vazhdon të kryesojë renditjen në Formula 1 me 44 pikë epërsi ndaj Bottasit, kur janë mbajtur 10 nga 17 garat.
“Është mirë që kam arritur fitoren, jam shumë i lumtur. Do të jap më të mirën dhe nuk do të dorëzohem”, ka thënë Bottas.
Fitorja ishte e dyta e Bottasit këtë stinor. Të parën e shënoi në garën hapëse në Austri në korrik.
Bottas ndonëse ka thënë se ishte me fat në këtë fitore, ai ka insistuar se prapë do të kishte fituar. Shpresat e Hamiltonit u goditën kur kontrollorët ia dhanë dy dënime me nga pesë sekonda, pasi kishte filluar stërvitjet jashtë zonës së caktuar.
“Jam i sigurt se asnjëri nuk ka marrë ndëshkim të tillë më herët”, ka thënë Hamilton. “Nuk e rrezikova askënd. Kam bërë këtë me miliona herë gjatë viteve dhe kurrë nuk është vënë në diskutim”.