Përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës në hendboll ka nisur të dielën përgatitjet për ndeshjet me Kosovën. Përfaqësuesja e Bosnjës të martën do të jetë në Prishtinë, ndërsa të mërkurën prej orës 20:15 është ndeshja e parë me Kosovën, që u takon kualifikimeve për “Euro 2024”.
Të dyja përfaqësueset i kanë humbur ndeshjet e para, nga Mali i Zi dhe Sllovenia. Marrë për bazë që katër prej tetë përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë në kualifikime shkojnë në Evropian, si Kosova ashtu edhe Bosnja rastin e kërkojnë prej pozitës së tretë në grup. Rrjedhimisht ndeshja e së mërkurës në Prishtinë dhe ajo e së dielës në Tuzlla vlerësohen me shumë rëndësi.
Atmosfera te Kosova është shumë e mirë. Selektori Bujar Qerimi do t’i ketë nën urdhra thuajse të gjithë lojtarët. Ndryshe është te Bosnjë-Hercegovina. Shumë prej lojtarëve kryesorë të Bosnjës nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së përzgjedhësit Irfan Smajlagiq.
Në të vërtetë ka kohë që Federata e Hendbollit e Bosnjë-Hercegovinës ka probleme të mëdha organizative. Ndër të tjera edhe për shkak të bllokimeve që i bëhen nga serbët e atij vendi. Ndërsa mospajtimet e selektorit Smajlagiq me disa prej lojtarëve kryesorë vetëm sa e bëjnë më të vështirë gjendjen.
Në fakt, lojtarët e Bosnjës luajnë në nivele dukshëm më të larta se ata të Kosovës. Në letër, Bosnja është favorite, por në terrenin e lojës shpresohet të jetë ndryshe.
“Në listë ka befasi, pasi disa lojtarë nuk janë në të. Por shumica e atyre që nuk janë në listë, e që të gjithë i kanë pritur, si Benjamin Buriq, Josip Periq, Dino Hamidoviq, Marin Vegara, Harun Hogjiq, Srgjan Predragoviq për arsye objektive dhe të qëndrueshme nuk janë në listën e ngushtë. Disa nuk janë për shkak të lëndimeve, disa për shkak të procesit të rikuperimit. Disa nuk janë për obligime personale, pra asnjë nuk është përjashtuar. Në këtë moment llogarisim në lojtarët që janë 100 për qind të gatshëm”, kanë njoftuar nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës.
Kosova e Bosnja janë takuar në vitin 2016. Në Kosovë, Bosnja kishte fituar 33:29. Ndërkohë në Bosnjë, përfaqësuesja nikoqire kishte fituar ndaj Kosovës me rezultat 41:25.
Që Kosova të kualifikohet, duhet ta lërë prapa Bosnjën në tabelë dhe me shumë mundësi që të fitojë pikë ndaj Malit të Zi apo Sllovenisë. Kjo pasi rezultatet ndaj ekipit të katërt në grup nuk llogariten në plasmanin final. Te Kosova fillimisht i gjithë fokusi është te ndeshja e së mërkurës mbrëma. E gjithë ecuria do të varet nga kjo ndeshje.
Portieri Benjamin Buriq është prej pikave më të forta te Bosnjë-Hercegovina. Ai luan në Bundesligë dhe vlerësohet lart. Mungesa e tij është lajm i mirë për Kosovën. Binjaku i Benjaminit, Senjamin Buriq, ka folur me respekt për Kosovën. Ai luan në pozitën e pivotit dhe po ashtu është pjesë e rëndësishme e Bosnjë-Hercegovinës.
“Besoj se Kosova është zhvilluar nga koha kur ka luajtur kundër nesh. Se ka ecur para e di nga burime të sigurta, konkretisht përmes Nikola Prces, që është atje për shumë vjet dhe tashmë është bërë trajner. Në Kosovë investojnë shumë në hendboll, zhvillohen, kështu që me ndërrimin tonë të gjeneratës, pres luftë. Por shpresoj se do të luajmë dy ndeshje të mira dhe do të festojmë në të dyja”, ka thënë Senjamin Buriq ditë më parë për “Dnevni Avaz”.
Prce është ikonë e hendbollit në Bosnjë-Hercegovinë. Ka udhëhequr këtë përfaqësuese në shumë ngjarje të mëdha. Tani është trajner dhe lojtar i skuadrës pejane, Besa Famgas.