Sprinteri Usain Bolt i ka dhënë fund ëndrrës së tij që të bëhet futbollist profesionist, duke thënë se “ishte kënaqësi për aq sa zgjati”.
Tetë herë fituesi i medaljes së artë në vrapim, u testua në Australi për dy muaj te Central Coast Mariners dhe u lirua nga klubi gjatë muajit nëntor.
Bolti bëri dy paraqitje për Mariners dhe realizoi dy gola në këto ndeshje të cilat ishin miqësore.
Sidoqoftë, ai ka pranuar se karriera si futbollist nuk i shkoi siç duhet. Tani po përqendrohet në biznes.
“Ishte përvojë e mirë. Më pëlqeu që isha në fushë dhe ishte ndryshe nga pista, por ishte kënaqësi për aq sa zgjati”, ka thënë Bolti për Reutersin.
“Po bëj gjëra të ndryshme... jeta sportive ka marrë fund, tani po shikoj biznese të ndryshme. Kam disa gjëra në mendje, por tani jam një biznesmen”, ka thënë veç të tjerash ai.