Ish-boksieri Magomed Abdusalamov me qetësi tregon atë që mjekët kishin thënë se është e pamundur të ndodhë pas lëndimeve katastrofale në kokë, që i pësoi gjashtë vjet më parë në një meç boksi. Ai po shfaq emocione, shprehje dhe angazhim.
Kapacitetet që shumica i marrim si të garantuara, u zhdukën për Abdusalamovin në orët pas humbjes së tij me vendim unanim nga kubani Mike Perez, më 2 nëntor të vitit 2013.
Përballja në dhjetë raunde mes dy boksierëve të pamposhtur të peshës së rëndë i shkaktoi dëme në tru Abdusalamovit, ia rrëmbeu edhe karrierën, përcjell Koha Ditore shkrimin e ESPN.
I ulur në karrocë të invalidëve, me bashkëshorten dhe tri vajzat në shtëpinë e tyre në Connecticut, Abdusalamov flet ngadalë, duke kombinuar anglishten me rusishte.
“Ndihem më mirë”, thotë 38-vjeçari. “Mendoj se pas gjashtë muajve do të ndihem edhe më mirë”.
“Mjekët thanë se ai kurrë nuk do të jetë në gjendje të shohë, të flasë apo të përqafojë – nuk do të ketë ndjenja”, ka rrëfyer bashkëshortja e tij, Bakanay Abdusalamova. “Menduan se jam çmendur kur vendosa ta marrë në shtëpi në vjeshtë të vitit 2014”.
Pas lëndimeve të rënda në tru, boksieri nga Dagestani pësoi edhe disa sulme, ishte në komë me javë të tëra dhe ishte i shtrirë në spital për dhjetë muaj. Ai u paralizua në anën e djathtë dhe mbetet ashtu, nuk ishte në gjendje të fliste, ana e tij e majtë e kokës u deformua pas operacionit emergjent në tru.
Mjekët thanë se çdo përparim që Abdusalamov bën brenda 18 muajve të parë pas lëndimit do të jetë përmirësimi maksimal që do të ketë. Në atë kohë, komunikimi më i madh i tij ishte ndonjë murmuritje. Nëse po kuptonte apo jo, ishte e paqartë.
Por Abdusalamov po bën atë që mjekët e kanë vlerësuar si të pamundur.
Vajza e tij më e re, Patimat, që ishte lindur dhjetë muaj para asaj lufte të vitit 2013, ofroi një shpjegim të thjeshtë: “Ai nuk donte që të dorëzohej dhe ne nuk u dorëzuam, pasi e duam atë”.
Bashkëshortja e tij, Abdusalamova, ka treguar për reagimet fillestare të mjekëve kur e kanë parë Abdusalamovin tre vjet pas meçit....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)