Përfaqësuesja e Kosovës në boks pas mesnate do të niset për në Beograd, ku duhet të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit amator. Boksierët mund të shkruajnë histori duke u bërë sportistët e parë që përfaqësojnë Kosovën e që garojnë në një ngjarje të madhe të mbajtur në territorin e Serbisë.
Drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës kanë thënë se në Botëror paraqiten vetëm nëse trajtimi është i barabartë me të gjitha delegacionet, përkatësisht me të gjitha shtetet.
“Sonte pas mesnatës nisemi për në Beograd. Kur të arrijmë atje e shikojmë gjendjen”, ka thënë Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës. “Diku në mëngjes të shtunën planifikojmë të jemi në Beograd”, ka shtuar Demolli.
Synimi i boksierëve të Kosovës është medalja. Pos Demollit, që udhëheq delegacionin, për në Beograd do të nisen edhe boksierët Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku e Patriot Behrami si dhe selektori Besim Brahimi. Selektori Brahimi është i kënaqur me formën e boksierëve dhe punën që e kanë bërë ata. Shpresat e tij janë që në Beograd të fitohet medalje.
Sipas Demollit, më së shumti pritet nga Shpëtim Bajoku në kategorinë deri 63.5 kilogramë.
“Me një short të mirë presim të futet në garë për medalje edhe pse ky do të jetë kampionati me konkurrencën më të madhe dhe po ashtu më masivi me 650 boksierë. Por edhe Bashkim Bajoku e Patriot Behrami janë në formë të mirë dhe nga ata mund të presim rezultat të mirë”, ka theksuar Latif Demolli.
AIBA dhe Federata e Boksit e Serbisë, si organizatore e Botërorit, deri më tani nuk kanë komentuar pjesëmarrjen e Kosovës që do të jetë historike. Botërori do të fillojë më 26 tetor.