Sulmuesi Besart Berisha i ka dhënë fund karrierës si lojtar aktiv. Ai këtë e ka bërë të ditur të enjten në një postim në “Instagram”.
Pak muaj pasi u largua nga Prishtina, Berisha ka shkruar se ka ardhur koha që t’i varë “këpucët në gozhdë”. Ai ka thënë se është krenar me karrierën e tij si profesionist dhe të arriturat që i ka pasur.
“Të dashur tifozë, tani ka ardhur koha: Do t'i jap fund karrierës sime futbollistike! Ka qenë një kohë e pabesueshme që nuk do ta harroj kurrë, mbaj mend që kur fillova këtë lojë gjithmonë kisha një buzëqeshje në fytyrën time dhe sot po buzëqesh përsëri duke menduar për të gjitha kujtimet e bukura që kam pasur me lojën! Në momentin që fillova këtë lojë për të luajtur, gjithmonë ëndërroj të bëhem profesionist”, ka shkruar Berisha. 36-vjeçari si lojtar është zhvilluar në Gjermani kurse debutimin si profesionist e ka pasur te skuadra e Hamburgut. Ai gjithashtu karrierë ka bërë edhe te Aalborgu, Horsensi, Burnley, Rosenborgu Arminia Bielefeldi, Brisbane Roar, Melburne Victory, Sanfreece Hiroshima e Western United. Megjithatë, sukseset më të mëdha në karrierë, Berisha i ka shijuar në Australi ku ka fituar tituj kampioni dhe ishte shpallur golashënuesi më i mirë. Ai ka pasur edhe një gol në 17 paraqitje me Shqipërinë, ndërsa një ndeshje e ka zhvilluar edhe me fanellën e Kosovës.