Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Berisha, ylli i xhirove të para në FIBA Europe Cup

Sigal Prishtina ndoshta nuk ka forcën e stinorit të shkuar, kur arriti mes 16 ekipeve më të mira në FIBA Europe Cup, por ka liderin e njëjtë. Madje, në formë edhe më të mirë.

Dardan Berisha e ka dëshmuar këtë me dy ndeshjet e para në këtë garë. Pas xhiros së dytë, Berisha i prin listës së koshashënuesve me mesatare prej 31 pikëve për ndeshje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në dy ndeshjet e para të Grupit C, pjesë e të cilit është Sigal Prishtina, ai ishte më i dalluari. Në duelin e parë kundër APOEL-it në Prishtinë, Berisha realizoi 30 pikë. Për paraqitjen ndaj APOEL-it, të cilën Prishtina e fitoi, Berisha u shpërblye nga tifozët në gjithë Evropën, duke u zgjedhur lojtari më i mirë i xhiros. Ndërkohë FIBA ia kushtoi një video njëminutëshe ku përfshiu të gjitha shënimet e Berishës, me përshkrimin: “Si të mos e duash Dardan Berishën?”.

“Ka qenë më se e dukshme se kush do të jetë më i miri”!, ka shkruar FIBA, kur dha rezultatet e anketës për lojtarin më të mirë.

Në ndeshjen e dytë, Berisha realizoi 32 pikë, por këtë herë nuk mjaftuan që Prishtina ta mposhtë në Gjermani, ekipin Medi Bayreuth. Përderisa Berisha është i pari në tabelën e koshashënuesve, Prishtina zë vendin e tretë në grup me tri pikë të tubuara.

Në fakt, Berisha nuk është treguar efikas vetëm në shënimin e pikëve, pasi është kujdesur të shpërndajë topa edhe për bashkëlojtarët. Ai ka mesatare prej 7.5 asistimeve për ndeshje dhe zë vend në mesin e pesë më të mirëve në këtë statistikë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)