Basketbollisti Dardan Berisha ka insistuar se Z Mobile Prishtina në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në FIBA Europe Cup kundër ekipit italian Varese, do të futet për fitore.
Kjo ndeshje zhvillohet sonte prej orës 20:30 në Prishtinë kurse e kthimit pas një jave në Itali.
Për Prishtinën, kjo është hera e parë që ka arritur të futet në mesin e 16 ekipeve më të mira në FIBA Europe Cup, garë që paraqitet për edicionin e katërt rresht.
Berisha, në konferencën për shtyp të mbajtur pak orë para ndeshjes, ka thënë se Prishtina dëshiron të vazhdojë të shkruajë historinë në basketbollin e Kosovës.
“Nuk do të futemi për humbje dhe kundërshtarët përfundimisht duhet të djerësiten mirë kur luajnë në palestrën tonë. Kështu që, jemi të vendosur për ta shkruar historinë, duke e mposhtur Varesen, një prej ekipeve më të mëdha që kanë ardhur ndonjëherë në Prishtinë”, është shprehur Berisha, raporton “Koha Ditore”.
“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, pasi kemi të bëjmë me një ekip të fortë dhe që ka histori të madhe. Jemi përgatitur dhe atmosfera është e mirë pas suksesit të fundit të Kupën e Kosovës”, theksoi ai.
Berisha ka ftuar tifozët që ta stërmbushin palestrën për ta përkrahur Prishtinën në këtë ndeshje. “Pres që palestra të jetë e mbushur dhe kur është kështu, kemi gjasa të mira për fitore. Do ta lëmë zemrën në parket për ta mposhtur një ekip si Varese”, ka thënë Berisha, duke shtuar se të gjithë te Prishtina janë super të motivuar.