Sport

Berisha: Në Çeki kemi ardhur për fitore – mungesa e Muriqit, humbje e madhe

Foto: Koha

Kombëtarja e Kosovës në futboll, në konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Çekisë, është shprehur e gatshme që të japë më të mirën për të arritur fitore.

Mesfushori i Lazios, Valon Berisha, ka thënë se mungesa e Vedat Muriqit është humbje e madhe për kombëtaren.

“Atmosfera është shumë e mirë. Humbje e madhe është mungesa e Vedat Muriqit. Për atë se a luaj unë nga minuta e parë, vendos trajneri. Përgatitjet kanë shkuar mirë. Jemi të gatshëm të japim më të mirën për të arritur fitore”, u shpreh Berisha, raporton Koha.net.

“Unë çdoherë jam i gatshëm. Edhe pse nuk luaj shumë me klubin, kujdesem që të jem i gatshëm për Kosovën çdoherë, edhe atëherë kur nuk luaj në klub”, u shpreh më tej ai.

“Kemi shanse. Kemi ardhur të fitojmë këtu. Të realizojmë një ëndërr që e kemi. Çekia janë të fortë, kanë ekip të mirë, por jemi gati për këtë luftë pasi do të jetë një luftë si për ne e po ashtu edhe për ata”, tha Berisha.

Berisha tha se nuk ndihet në presion, dhe tha se ekipi duhet të shikojë përpara.

“Çdoherë kemi luajtur për diçka. Aq shumë duam që të arrijmë diçka sa që nuk na bie ndër mend për presion dhe nuk duhet të mendojmë për presionin. As në stërvitje nuk e kemi diskutuar presionin, por si të arrijmë të fitojmë”, potencoi Berisha.

Mesfushori tha se trajneri i Çekisë ka të drejtë kur thotë se është ndeshja mes Çekisë dhe Kosovës është ndeshja e vitit.

“Ashtu është edhe për ne. Kjo është ndeshja më e rëndësishme si Kombëtare që e kemi luajtur deri me tani”, tha mesfushori i Lazios.