Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, pritej që të ishte portieri i parë i Torinos për sezonin 2022/23. Por papritmas ai u parakalua në hierarki nga portieri Vanja Milinkoviq-Saviq dhe nuk e ka asnjë paraqitje deri më tani. Madje, Berisha nuk ka luajtur as në Kupën e Italisë te Torino. E gjithë kjo situatë në klubin italian ka bërë që Berisha ta kërkojë largimin nga Torino në afatin kalimtar të janarit, ka njoftuar të mërkurën sajti “ToroNews”.
Thuhet se Berisha nuk është i kënaqur me trajtimin e tij këtë edicion dhe në fillim të vitit të ardhshëm, gjasat janë të mëdha të largohet pasi tashmë po shqyrton ofertat tjera. Po ashtu, këtë edicion ai ka pasur telashe edhe me lëndimet dhe nuk është përfshirë në ekip në katër ndeshje kampionale. Berisha ka besuar se këtë edicion do të jetë i paprekshëm në portën e Torinos pas paraqitjeve të mira që i pati në fund të sezonit të shkuar. Ai impresionoi në dhjetë ndeshjet që u paraqit në Serie A dhe besohej se kishte fituar duelin me Milinkoviq-Saviqin sa i përket numrit një të portës. Mirëpo, duket se gjatë përgatitjeve parasezonale, portieri serb ka bindur trajnerin Ivan Juriq, i cili i ka besuar vendin e titullarit. Krahas 11 paraqitjeve në Serie A, ai ka edhe dy ndeshje të luajtura në kuadër të Kupës së Italisë, garë në të cilën pritej që Berisha të ishte në portë.
“Milinkoviq-Saviq i ka të gjitha karakteristikat për të qenë një portier i mirë”, tha trajneri Juriq. “Problemi i tij është se herë pas here ka disa pika të shpërqendrimit, por kur është në top-formë, ai është një super portier”.
33-vjeçari iu bashkua Torinos vitin e shkuar nga SPAL-i. Ai fillimisht u huazua, por Torino e shfrytëzoi opsionin e blerjes së kartonit të tij. Berisha ka kontratë me Torinon deri në verën e vitit 2024 dhe viti i ardhshëm mund ta gjejë në një ekip tjetër. Thuhet se tashmë ka ekipe të interesuara për Berishën nga elita e futbollit të Italisë.
“Për Torinon është një plus i madh ta ketë portierin e dytë me përvojën e Berishës, por situata aktuale nuk mund të pranohet lehtë nga portieri shqiptar, i cili si të gjithë do të donte të luante më shumë. Dhe tani nuk mund të përjashtohet që në janar Berisha të kërkojë një skuadër që t'i japë mundësinë për të dalë më shumë në fushë”, ka shkruar sajti italian.
Në rast të largimit të Berishës, atëherë në portier të dytë të Torinos, automatikisht do të promovohej Luca Gemello, i cili është produkt i akademisë së klubit. Berisha prej vitit 2013 është pjesë e futbollit italian kur iu bashkua Lazios nga Kalmari. Ai karrierë në Itali, ka bërë edhe tek Atalanta.