Basketbollisti më i mirë në Kosovë, Dardan Berisha është i gatshëm të mbetet pjesë e Pejës edhe për sezonin e ardhshëm, aq edhe sa ka kontratë me klubin e qytetit të tij.
Por, ai ka thënë se e ardhmja e tij mund të varet edhe nga situata në të cilën do të jetë klubi Peja pas përfundimit të situatës me koronavirus. Berisha të dielën në emisionin sportiv të KTV-së “Sporti Total” ka thënë se vendimi për anulimin e edicionit pa u shpallur kampioni ka qenë i drejtë nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).
“Unë kam marrëveshje me Pejën edhe për sezonin e ardhshëm. Nuk e di se çfarë do të ndodhë pasi jemi në këtë situatë. E di që jam lojtarë i Pejës, por plotë gjëra mund të ndryshojnë. Nuk kam folur edhe me drejtuesit e klubit, por po shpresoj që shumë shpejt do t’i kthehemi normalitetit. Do ta respektoj marrëveshjen me Pejën, por varet edhe me situatën e klubit”, ka thënë Berisha. Berisha te Peja u rikthye pas gati shtatë vjetësh. Me Pejën ai e fitoi Kupën, trofe i vetëm i këtij edicioni, meqë kampionati është anuluar për shkak të përhapjes së COVID-19.