Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Berisha e Gjakova më të mirët e vitit, Kuka e fiton shpërblimin “Majlinda Kelmendi”

Dardan Berisha dhe Nora Gjakova janë sportistët më të mirë të zgjedhur për vitin 2017-të në konkurrencat e tyre respektive.

Në ambientet e hotelit “Emerald”, ku u mbajt edicioni i 19-të i Sportistit të Vitit, i organizuar nga Grupi Koha, Berisha dhe Gjakova u dalluan më së shumti nga juria profesionale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Basketbollisti më i mirë i Përfaqësueses së Kosovës, Berisha, e udhëhoqi Kosovën drejtë kualifikimit historik, për t’ia siguruar një vend në eliminatoret e Botërorit “Kina 2019”, duke qenë edhe lider i Prishtinës në Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup. Paraqitjet e tij të mira bënë që ai të nënshkruajë me klubin e madh çek, CEZ Nymbruk.

Nga ana tjetër, Gjakova e arriti suksesin më të madh në evropianin për seniore në kategorinë deri në 57 kg, ku u stolis në Varshavë të Polonisë me medaljen e bronztë.

Xhudisti i ri Shpat Zeka, e fitoi çmimin si sportisti më i mirë i ri për vitin 2017-të, pasi gjatë këtij viti ka fituar dy medalje të bronzta, një në Kampionatin Evropian për Kadetë në Kaunas të Lituanisë, ndërsa tjetrin në Kupën Evropiane në Zagreb.

Si sportistja më e mirë e re për vitin 2017-të u shpall Donjeta Sadiku. Boksierja më e mirë e Kosovës, suksesin më të madh e arriti në Kampionatin Evropian për juniore të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë. Ajo në atë garë e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 60 kg.

Klubi më i suksesshëm në konkurrencën e meshkujve o zgjodh Sigal Prishtina, që e fitoi ligën dhe kupën e Kosovës. “Bardhekaltrit debutuan në Ligën e Kampionëve, por u eliminuan në rundin e parë, ndërsa më pas vazhdoi në FIBA Europe Cup, që është edicioni i tretë rresht në paraqitje, dhe ishte shumë afër të kualifikohej me tri fitore.

Te femrat klubi Hajvalia e ka fituar titullin dhe Kupën e Kosovës për sezonin 2016/17, dhe mori pjesë në Ligën e Kampionëve por doli e fundit në Grupin 8 pa asnjë fitore. Ky klub mban edhe rekordin me më së shumti gola të shënuar për një ndeshje, pasi fitoi ndaj Vizionit 38:0.

Majlinda Kelmendi e fitoi çmimin sipas votimit në internet, pasi Kampionia e Artë Olimpike mblodhi 58.7% të votave nga 16.463 persona sa votuan, dhe ky është shpërblimi i gjashtë rresht.

Mirënjohje të veçantë për arritje të jashtëzakonshme në sport iu nda Klubit Alpin Prishtina dhe dy alpinistëve, Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, që më 22 maj në orën 6 të mëngjesit e pushtuan majën më të lartë në botë, Everestin, 8848 metra lartësi mbidetare.

Si punëtorë të vitit 2017-të u shpërblyen Albert Bunjaki dhe Afërdita Fazliu. Bunjaki e udhëhoqi Kosovën në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018-të”, dhe solli lojtarë si Ujkani, Valon Berisha, Milot Rashica, Celina, Kryeziu e shumë të tjerë. Ndërkohë, zëvendësdrejtoresha e Departamentit të Sportit dhe përzgjedhësja e Përfaqësueses së Kosovës në futbollin e femrave, e në muajin maj e udhëhoqi Kosovën drejtë triumfit ndaj Bullgarisë në miqësoren në Mitrovicë.

Ndërkohë, shpërblimin e veçantë për arritje kulmore “Majlinda Kelmendi”, e fitoi Driton Kuka, që është njeriu me i cili me punën e palodhur, i dhuroi Kosovës shkollën më të famshme të xhudos në botë, duke e ngritur Kosovën në piedestalin më të lartë në këtë sport.

Grupi Koha në ceremoninë e Sportistit të Vitit ndau edhe çmime Post-Mortem, që i takoi dy ish futbollistëve të Prishtinës, Favzi Rama e Faton Domi, që humbën jetën në aksident komunikacioni 30 vjetë më parë.

Ceremonia e Sportistit të Vitit 2017-të e organizuar nga Grupi Koha do të emetohet gjatë ditëve festive të Vitit të Ri.