Ishte një kohë kur Karim Benzema vërshëllehej nga tifozët e Real Madridit për shkak se nuk e shfrytëzonte të gjithë talentin e tij, dhe nuk shënonte gola mjaftueshëm. Edhe pse ai ka qetësuar shumicën e kritikëve të tij në vitet e fundit, askush nuk mund të dyshojë më në sulmuesin francez, pasi ai e nguliti emrin e tij në historinë e gjatë të klubit në Ligën e Kampionëve. Benzema shënoi “hat-trick” për vetëm 17 minuta të mërkurën mbrëma për të eliminuar një ekip të mbushur me yje si Paris Saint-Germaini dhe për ta mbajtur Realin në garë për trofeun e Championsit dhe titullin e kampionit në La Liga.
Për një ndeshje e gjysmë, Kylian Mbappe po e udhëhiqte PSG-në drejt një fitoreje komanduese me një shfaqje fantastike me dy gola që dëshmoi se pse dy rivalët – Parisi e Reali – e duan kaq dëshpërimisht yllin më të ndritshëm të futbollit në ekipin e tyre sezonin e ardhshëm. Kjo ndodhi deri në momentin kur Benzema doli në skenë, shënoi tre gola në pjesën e dytë për ta kualifikuar Realin në çerekfinale të Championsit me rezultatin e përgjithshëm 3:2.
“Ne e humbëm ndeshjen e parë dhe ishim në disavantazh 1:0 në pjesën e parë, por forca e tifozëve na shtyu përpara”, tha Benzema. “Ne dhamë gjithçka që kishim në fushë deri në fund të ndeshjes”.
PSG-ja mbeti përsëri për të luajtur vetëm në ligën franceze pas një tjetër dështimi evropian, pavarësisht përpjekjeve të pronarëve nga Katari për të mbledhur sulmin më të talentuar në botë me Lionel Messin, që u shtua verën e kaluar për të luajtur së bashku me Mbappen dhe Neymarin. Humbja erdhi pesë vjet pasi PSG-ja pësoi një kolaps tronditës në ndeshjen e dytë në “Camp Nou”, kur Barcelona bëri histori me një fitore 6:1. I udhëhequr nga Benzema, Real Madridi tani ka fituar një vrull të madh pasi kërkon dy trofe këtë edicion. Po synon titullin e 14-të evropian dhe rikthimin e titullit në Spanjë.
Pasi eliminoi Parisin, Realin e pret dueli me Mallorcan modeste në kampionat, ndeshje që zhvillohet të hënën e ardhshme. Gjatë tri sezoneve e gjysmë që nga largimi i Cristiano Ronaldos, Benzema e ka vendosur veten si lider i padiskutueshëm i Madridit falë golave dhe karakterit të tij në fushë. Asnjë vendim fajësie në një komplot shantazhi me një kasetë seksuale ndaj një ish-shoku te Franca në nëntor nuk e ka tronditur formën e tij të shkëlqyer. Ndërsa Messi, i cili si Benzema është 34 vjeç, ka vitet e tij më të mira pas tij, Benzema vetëm sa është përmirësuar. Benzema ka shënuar 30 herë në 33 paraqitje këtë sezon për madrilenët. Ai kryeson në ligën spanjolle me 20 gola, shtatë më shumë se ndjekësit e tij më të afërt. Dhe, “hat-tricku” i tij kundër PSG-së e bëri atë lojtarin më të vjetër që ka shënuar “hat-trick” në Champions me 34 vjet e 80 ditë. Ai gjithashtu e zhvendosi atë përpara Alfredo Di Stefanos në vendin e tretë në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të klubit me 309 gola. Benzema ndihmoi Madridin të fitonte titullin e ligës dy sezone më parë. Me kampionin në fuqi, Atletico Madridin dhe Barcelonën 15 pikë larg, vetëm Sevilla mbetet në distancë realiste për të penguar Realin të shtojë edhe titullin e 34-të, që do të jetë rekord. Sevilla që viziton Rayo Vallecanon të dielën, është tetë pikë pas Madridit me tetë pikë. Mallorca është në vendin e 16-të dhe vetëm dy pikë larg zonës së rënies.
“Çdo ndeshje është një finale për ne, si në La Liga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Real Madridi është gjallë”, tha Benzema. “Kur presioni është i lartë, me çdo lojtar që bën punën e tij dhe tifozët pas nesh, ne mund të mposhtim këdo”.
Francezi Mbappe tani duhet të vendosë nëse do të mbetet në Paris apo do të transferohet në kryeqytetin e Spanjës. Disa tifozë të Madridit duartrokitën kur ai u prezantua para ndeshjes të së mërkurës, me shpresën se ai mund të bëhet superylli i tyre i ardhshëm. Por ishte Benzema ai që dëshmoi se Madridi tashmë ka atë që i nevojitet për të fituar tituj tani.