Sport

Bekaj bën hap para në karrierë, kompleton kalimin te Hatayspori

Portieri i Kosovës, Visar Bekaj, i ka kaluar me sukses, të mërkurën, kontrollimet mjekësore te skuadra elitare e Turqisë, Hatayspor. Me klubin e Superligës turke, Bekaj do të nënshkruajë kontratë trevjeçare, ndërsa do të prezantohen ditëve në vazhdim. Kalimi nga Tirana te skuadra e Hataysporit vlerësohet hap para në karrierën e Bekajt. Por ish-portieri i Ramiz Sadikut dhe Prishtinës thotë se synon që në një të ardhme të afërt të paraqitet edhe për ndonjë klub më të madh. E për ta realizuar këtë synim, atij i duhet ta dëshmojë veten te skuadra turke.

“Kontrollimet mjekësore kanë shkuar shumë mirë dhe ka mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës. Jam shumë i lumtur për këtë lëvizje në karrierë. E kam pritur një lëvizje të tillë dhe besoj se jam pjekur për këtë hap të radhës në karrierën time. Jam shumë i lumtur, por ky nuk është synimi im i madh. Synoj të luaj edhe në ndonjë klub më të madh. Megjithatë, është një hap para në karrierën time dhe dua të dëshmohem edhe këtu”, ka thënë Bekaj të mërkurën për KOHËN.

Portieri 26-vjeçar nuk e vazhdoi kontratën me Tiranën, skuadër për të cilën luajti prej vitit 2020. Sukseset në futbollin e Shqipërisë nuk i kanë munguar Bekajt. Ai me Tiranën fitoi një titull të kampionit dhe një Superkupë të Shqipërisë, teksa në sezonin 2022/23, Tirana doli nënkampione e Shqipërisë. Humbi garën për titull me rivalin e qytetit, Partizanin në xhiron e fundit. E sukseset nuk i kanë munguar as në futbollin kosovar, ku me Prishtinën ka fituar dy herë kupën. Por Bekaj ishte protagonist i fundit të edicionit në Shqipëri, duke u pezulluar me 1 vit nga Komisioni i Etikës i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Por më pas Apeli e fali, duke ia zbutur dënimin njëvjeçar në pezullim prej dy ndeshjeve. Megjithatë, Bekaj aventurën në Turqi do ta nisë pa dënim.

“Do të punoj fort për t’u paraqitur sa më mirë me klubin tim të ri. Me punë dhe angazhim besoj se mund t’i arrij synimet e mia”, është shprehur Bekaj.

Bekaj ftohet rregullisht te Përfaqësuesja e Kosovës. Ka luajtur pesë ndeshje për “Dardanët”. Para se t’i bashkohej Kosovës, Bekaj bëri tri paraqitje për U17 e Shqipërisë.

Hatayspori e la në gjysmë edicionin e fundit. U tërhoq nga Superliga për shkak të tërmetit të fuqishëm që ndodhi në muajin shkurt në Turqi. Hatayspori ishte nga më të prekurit nga tërmeti, por do të rikthehet në elitë në edicionin e ri. Njëmbëdhjetë ditë pas tërmetit në Turqi ishte gjetur i vdekur futbollisti Christian Atsu. Klubi i fundit i Atsut ishte Hatayspori. Trupi i tij ishte gjetur nën gërmadha.