Qindra luftëtarë me veshje të blinduara që shkëlqenin dhe shpatat që i mbanin në duar qëndronin në një fushë pranë një kështjelle.
Fshati ukrainas Kopachiv në fillim të këtij muaji organizoi Kampionatin Botëror të luftës mesjetare, Behourd. 29 ekipe nga Britania e Madhe, Kina, Franca, Gjermania dhe Australia u përballën mes vete për katër ditë në fshat, i cili gjendet rreth 100 kilometra larg kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.
Garuesit e ekipeve u përleshën mes vete me kopje metalike të armëve në një arenë rëre sikurse në kohët mesjetare. Disa prej luftëtarëve kishin zgjedhur të luftonin me kuaj, të tjerët në këmbë, shkruan sot Koha Ditore.
Armatura dhe armët që përdorin garuesit duhet të jenë në përputhje me rregullat që janë të publikuara në fazën zyrtare të Betejës së Kombeve. Behourd është luftë e njohur mesjetare ku luftëtarët kanë luftuar përballë njëri-tjetrit me shpata. Por për dallim prej kohës mesjetare, lufta tashmë është modernizuar dhe garuesit nuk kanë gjasa të vrasin kundërshtarët e tyre.
Në arenë gjendet edhe arbitri, i cili lejon që garuesit të përplasen mes vete deri në momentin kur njëri prej tyre rrëzohet pas goditjeve me shpatë. Behourd tashmë njihet si një sport bashkëkohor i luftës së plotë me armë çeliku.
Edhe
Në Ukrainë inskenohet beteja mesjetare në një festival të veçantë
Arbitrat e këtij sporti njihen me emrin mareshalët e kalorësve dhe kanë trajnim të veçantë e përvojë në këtë lloj luftimi. Nëse kundërshtari nuk rrëzohet, atëherë gjatë luftës fituesi përcaktohet me numër të goditjeve.
Në turne, fitues shpallet ai luftëtar që godet të paktën dhjetë herë kundërshtarin brenda tre minutave, sa zgjat beteja. “Ky sport është shumë i popullarizuar gjatë viteve të fundit, sidomos në Ukrainë. Në të vërtetë, Behourd njihet si sport zyrtar në shtetin tonë”, thotë Natalia Koval, që ishte organizatore e Kampionatit Botëror, që prej vitit 2017 mbahet rregullisht çdo gjashtë muaj...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)