Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Beckenbauer kishte premtuar se do ta ndihmonte Kosovën nëpërmjet futbollit

Legjenda e futbollit Franz Beckenbauer gjatë vizitës së tij në Kosovë më 4 mars të vitit 2011, kishte premtuar se nëpërmjet sportit do të ndihmonte në njohjen e Kosovës.

Ai kishte ardhur në Kosovë më ftesën e presidentit të atëhershëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Beckenbauer është një prej personaliteteve më të njohura sportive që kanë vizituar Kosovën.

“Unë nuk jam politikan por do të bëj përpjekje që me anë të sportit të ndihmoj njohjen e këtij vendi. Ndoshta është rastësi, por dje ka qenë një mbledhje e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe Kosova ka qenë në agjendë të saj. Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që çështja e Kosovës të kalojë në UEFA. Është thënë nga Komiteti Ekzekutiv që në të ardhmen UEFA është e obliguar të merret me Kosovën. Problemet politike nuk mund t’i zgjedhë sporti. Ato duhet t’i zgjedhë vetë vendi. Por, nëse mund të ndihmoj në aspektin sportiv atëherë do të bëj këtë”, kishte thënë Beckenbauer atëbotë.

Beckenbauer vdiq të dielën në moshën 78-vjeçare. Lajmin për vdekjen e tij e kumtoi të hënën familja e legjendës së futbollit.