Sport

Bayerni synon ta fitojë titullin në derbin kundër Dortmundit

Bayern Munichu është mësuar ta fitojë titullin e kampionit në Bundesligë. Megjithatë, ky titull është i veçantë për ekipin bavarez. Jo vetëm që do të ishte titulli i dhjetë rresht i Bayernit - një sukses që kurrë nuk e ka arritur asnjë ekip në asnjërën prej pesë ligave më të forta të Evropës - por klubi synon ta fitojë titullin në shtëpi të shtunën me një fitore në derbin kundër Borussia Dortmundi që njihet ndryshe si “Klassiker”. Stadiumi i Bayernit do të jetë i mbushur plot për ndeshjen, e cila do të nisë në orën 18:30. Kjo festë do të jetë krejtësisht tjetër prej asaj të sezonit të shkuar kur Bayerni festoi me tribunat bosh shkaku i pandemisë. Disponimi te Bayerni është i mirë, me trajnerin Julian Nagelsmann, duke diskutuar rreth traditës së lojtarëve të tij për ta festuar titullin e Bundesligës duke derdhur birrë mbi të.

“Birra supozohet të jetë mjaft e mirë për flokët”, tha Nagelsmann me shaka.

Megjithatë, Nagelsmann pranoi se triumfi në Bundesligë përsëri ka “ndoshta pak më pak kuptim në Munich” sesa Liga e Kampionëve, ku Bayerni u eliminua në çerekfinale pas humbjes së papritur nga Villarreali.

“Të shtunën është ende një situatë e veçantë për ta fituar titullin kundër Dortmundit, pasi do ta bënim këtë kundër rivalit direkt dhe në stadiumin tonë të stërmbushur”, shtoi Nagelsmann.

Dhjetë tituj radhazi do të ishin një arritje historike për Bayernin, por më pak e dobishme për Bundesligën. Ngecja e ekipeve të tjera për ta sfiduar Bayernin e bën më të vështirë tërheqjen e audiencës ndërkombëtare. Triumfi në Bundesligë është vetëm përmbushja e pritshmërive minimale për trajnerin Nagelsmann në vitin e parë të një kontrate pesëvjeçare.

“Mendoj se nëse nuk do ta fitoja titullin, atëherë nuk do të isha më trajner këtu”, tha ai.

Dortmundi, që është pas Bayernit me nëntë pikë, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të sezonit, do të duhej ta fitonte këtë përballje dhe të shpresonte në ndonjë kolaps dramatik të bavarezëve për të pasur ndonjë shpresë për titull. Megjithatë, Dortmundi ka synim për ta prishur festën e Bayernit të shtunën. Bayerni i ka fituar shtatë takimet e tij të fundit kundër Dortmundit, megjithëse përballja e fundit ishte një lojë e vështirë, e cila përfundoi mes akuzave të hidhura. Bayerni fitoi 3:2 me dy golat e Robert Lewandowskit, por i gjithë fokusi ishte te gjyqtari Felix Zwayer pasi mesfushori i Dortmundit, Jude Bellingham, përdori një intervistë pas ndeshjes për të kujtuar lidhjet e Zwayerit me një rast trukimi të ndeshjeve të vitit 2005. Bellingham më vonë u gjobit. Po ashtu ky mund të jetë “Klasikeri” i fundit për sulmuesin e Dortmundit, Erling Haalandin, me norvegjezin që është i lidhur me një kalim të mundshëm te Manchester City në fund të sezonit. Haaland po vjen nga një periudhë e formës së dobët pasi e humbi muajin shkurt për shkak të problemeve muskulore – një dukuri e përsëritur dhe shqetësuese për sulmuesin 21-vjeçar – edhe pse ai shënoi dy gola javën e shkuar në fitoren 6:1 kundër Wolfsburgut.

Krahas dy pozitave të para në tabelë, në Bundesligë ka ende një luftë për vendet e tjera që sezonin tjetër dërgojnë në Ligën e Kampionëve. Leipzigu është në vendin e tretë dhe Bayer Leverkuseni është i katërti, dhe të skuadrat janë nën presion nga Freiburgu i vendit të pestë. Freiburgu, i cili gjithashtu ka arritur në finalen e Kupës së Gjermanisë, do të përballet me Borussia Moenchengladbachun të shtunën në një ndeshje që mund të krijojë ose të prishë shanset për Ligën e Kampionëve.