Fitoret e Bayern Munichut përballë Mainzit nuk kanë qenë të vështira në sezonet e kaluara, por sivjet mund të jetë më ndryshe.
Mainzi, nën drejtimin e trajnerit danez Bo Svensson, po e kalon sezonin më të mirë në 11 vjetët e fundit. Ka humbur vetëm një herë në gjashtë ndeshjet e fundit të Bundesligës.
Skuadra e Wolfsburgut e pa javën e kaluar se sa i frikshëm mund të jetë sulmi i Mainzit këtë sezon. Mainzi i kishte shënuar dy gola në katër minuta, ndërsa ndeshja përfundoi 3:0.
Mainzi, aktualisht është në vendin e shtatë me 21 pikë, falë edhe mbrojtjes stabile. Është mbrojtja e dytë më e fortë në gjithë Bundesligën gjermane.
Bayerni, megjithatë, ka ekip që mund ta mposhtë këdo. Në ligë ka shënuar 45 gola dhe ka pranuar 15 sosh. Në xhiron e kaluar e fitoi derbin kundër Dortmundit 3:2, për t’u distancuar në katër pikë në krye të tabelës nga “verdhezinjtë”.
Më pas, bavarezët triumfuan 3:0 kundër Barcelonës të mërkurën në Ligën e Kampionëve dhe u kualifikuan në fazën nokaut me gjashtë fitore nga po aq ndeshje.
Trajneri Julian Nagelsmann të shtunën në orën 15:30 në kuadër të xhiros së 15-të në Bundesligë, nuk do ta ketë të gatshëm për lojë Joshua Kimmichun, i cili ka probleme me mushkëri, si pasojë e infektimit me koronavirus.
Dortmundi duhet ta vazhdojë presionin te Bayerni dhe do t’i duhet fitorja në udhëtim te Bochumi, një derbi i vogël i Rurit.
Bochum – Dortmund luhet të shtunën po ashtu në orën 15:30.