Bochumi u mposht thellë nga Bayerni 7:0 në ndeshjen e parë të edicionit aktual në Bundesligë, por është këndellur në vazhdim të kampionatit ku mungoi për 11 vjet.
Skuadra që drejtohet nga Thomas Reis ka 25 pikë nga 21 ndeshjet e para të këtij sezoni, ndërsa dy ndalesat e fundit nga Koelni dhe Hertha Berlini kanë bërë që të jetë vetëm tri pikë larg zonës së rrezikshme.
Robert Lewandowski ishte në mesin e lojtarëve që kishin shënuar në fitoren e thellë të xhiros së pestë të Bundesligës.
Futbollisti më i mirë i zgjedhur nga FIFA për vitin që lamë pas ka shënuar të paktën nga një gol në 11 ndeshjet e fundit. Herën e fundit, polaku shënoi në triumfin 3:2 kundër Leipzigut në vikendin e shkuar, duke shkuar në kuotën e 24 golave në total.
Bayern Munichu ka nëntë pikë më shumë se vendi i dytë, Borussia Dortmundi, që u mposht nga Bayer Leverkuseni.
Kapiteni Manuel Neuer ka pësuar një dëmtim dhe i është dashur operimi në gju, që do ta lërë atë jashtë fushave për disa javë.
Sven Ulreich do ta zëvendësojë atë në portë, pavarësisht se ishte në dyshim.
Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, do të jetë pa Jamal Musialan. Tinejxheri i bavarezëve është në izolim, ndërsa i bashkohet mungesave si Alphonso Davies dhe Leon Goretzka.
Ndeshja ndërmjet Bochumit dhe Bayern Munichut do të luhet të shtunën në orën 15:30.
Bavarezët nuk janë mposhtur si mysafirë nga një skuadër e promovuar në Bundesligë tash e 24 ndeshje. Humbja e fundit në këtë statistikë ishte në gusht të vitit 2010.
Nga Bochumi vendës, për herën e fundit Bayerni ishte mposhtur 1:0 para 18 vjetëve, më 14 shkurt të vitit 2004.