Bayerni do të shkojë në pushimin e detyruar për shkak të Kupës së Botës si lider i Bundesligës, pavarësisht rezultatit të këtij vikendi. Bavarezët në kuadër të xhiros së 15-të do të luajnë në udhëtim te skuadra e Schalkes, ndeshje kjo që zhvillohet të shtunën prej orës 18:00. Kjo është xhiroja e fundit për këtë vit në Bundesligë. Kampionati gjerman vazhdon më 20 janar.
Bayerni prin në tabelë me 31 pikë, katër më shumë se ndjekësit më të afërt, Union Berlini e Freiburgu. Ndërkohë Schalke zë vendin e fundit me vetëm nëntë pikë të mbledhura. Bayerni në këtë ndeshje do të jetë pa sulmuesin Sadio Mane, i cili u lëndua ditë më parë dhe paraqitja e tij në Botëror mbetet në dyshim, përkundër që është ftuar nga Senegali. Ndërkohë, Freiburgu dhe Union Berlini do të luajnë kundër njëri-tjetrit, të dielën prej orës 17:30. Leipzigu do të shpresojë ta parakalojë njërën prej këtyre dy skuadrave në tabelë, ndonëse nuk do të ketë fare punë të lehtë. Është mysafir i Werder Bremenit në duelin që luhet të shtunën nga ora 15:30.