Sport

Bayerni firmos me Sacha Boey

Bayerni ka zyrtarizuar transferimin e Sacha Boey nga Galatasaray. Mbrojtësi 23-vjeçar francez ka firmosur me gjigantin gjerman kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2028.

Boey ka nisur të luaj futboll te skuadrat Romainville dhe Red Star FC.

Në vitin 2014 iu bashkua akademisë së Rennesit, ndërsa debutimin në Ligue 1 e bëri si 18-vjeçar, në maj të vitit 2019.

Pas një edicioni në huazim te Dijoni, Boey kaloi te Galatasaray para fillimit të edicionit 2021/2022. Për skuadrën nga Stambolli i luajti 83 ndeshje dhe i shënoi katër gola. Edicionin e kaluar e fitoi titullin e kampionit.

“Jemi të lumtur që kemi firmosur me një lojtar të ri me potencial shumë të madh. Ai është paraqitur shumë mirë në dy ndeshjet e Ligës së Kampionëve ndaj nesh. Kjo do të thotë që jo vetëm që kemi zgjeruar skuadrën tonë, por edhe kemi shtuar kualitet në të”, ka thënë shefi ekzekutiv i Bayernit, Jan-Christian Dreesen.

Drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund, ka thënë se Sacha Boey është lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht dhe që vrapon shumë në secilën ndeshje. Sipas Freund, mbrojtësi i djathtë nuk shmang duelet dhe ishte lojtar i pëlqyer i tifozëve të Galatasarayt.

Boey nuk ka luajtur ende për Francën, por kalimi te skuadra bavareze do ta ndryshojë situatën.

“Është ëndërr e bërë realitet për mua. Është nder që do të luaj në një klub të madh si Bayerni. Mezi pres të takoi bashkëlojtarët dhe të luaj me gjithë këta lojtarë të mëdhenj. Si futbollist, jam mbrojtës që më pëlqen të sulmojë. Njëjtë jam i lumtur që ta ndihmojë skuadrën në detyra mbrojtëse”, ka thënë Boey.

Bayerni është në luftë për tjetër titull të Gjermanisë. Pas xhiros së 19-të është dy pikë prapa Bayer Leverkusenit. Për shkak të lëndimit të disa lojtarëve, e kishte thuajse obligim angazhimin e një mbrojtësi të krahu. Me Boey besohet se mori një lojtar që do t’i shërbejë këtë edicion, por edhe shumë edicione në vazhdim.