Sport

Bayerni dënon lojtarin që u largua nga qyteti për të vizituar djalin e sëmurë

Bayern Muencheni ka gjobitur futbollistin Jerome Boateng, pasi mbrojtësi shkeli rregullat e izolimit duke lëshuar Muenchenin për të vizituar djalin e tij të sëmurë.

Në një komunikatë, Bayerni ka thënë se 31-vjeçari ka “shkelur udhëzimet e klubit, duke qenë shumë larg shtëpisë së tij”.

Bavaria ishte shteti i parë në Gjermani që u bllokua në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Boateng ka thënë se do të respektojë vendimin e klubit, por e ka vlerësuar atë të trishtueshëm.

“E di që ishte gabim që nuk kam informuar klubin për udhëtimin tim, por në atë moment në mendje e kam pasur vetëm djalin tim”, ka thënë Boateng për Bild.

“Ai nuk ka qenë mirë me shëndet. Kur një fëmijë e thërret babanë, natyrisht se unë do të shkojë sërish, pavarësisht kohës. Për të unë e pranoj çdo dënim. Mbi të gjitha ai është djali im. Dua të shoh një baba që nuk shkon në një moment të tillë për të qenë me djalin e tij katërvjeçar. Nëse ka dënim për këtë, unë do të respektoj atë. Por më duket gjë e trishtuar”, ka thënë Boateng.

Bayerni nuk ka bërë të ditur shumën e dënimit, por ka thënë se paratë e gjobës do të dhurohen për spitalet e Muenchenit.

“Bayerni beson se klubi e ka përgjegjësinë për të qenë shembull”, thuhet në komunikatën e Bayernit.