Sport

Basketbollisti me aftësi të kufizuara drejt Lojërave Paralimpike në Paris

Shpërblim i gjithë mundit disavjeçar në basketboll, për Egëzon Vatovcin është bërë konfirmimi i pjesëmarrjes në Lojërat Paralimpike në Paris, më 2024. “Jam duke u rrëqethur prej tash”, thotë ai

Nga shtëpia e tij drejt palestrës sportive “Jeton Tërstena – Tota” i bën pesë minuta në këmbë. Tash e 17 vjet ky është destinacioni i tij i rregullt. Në çdo kapërcim kalldrëmi, entuziazmi veç sa vjen e i shtohet, në mënyrën se si i hedh hapat vërehet që e do shumë basketbollin. Bindja i forcohet edhe më shumë kur hyn në sallë dhe fillon rutinën e tij.

Por si shpërblim i gjithë mundit disavjeçar për 24-vjeçarin Egëzon Vatovci, nga Vushtrria, është bërë konfirmimi i pjesëmarrjes në Lojërat Paralimpike në Paris në vitin 2024. Përkrah shumë personave me aftësi të kufizuara, do të jetë edhe ai nga gushti në shtator, në ngjarjen më të madhe paralimpike, ku do të ketë mbi 500 ngjarje garuese për medalje.

Nën moton në origjinal “Ouvrons Grand les Jeux” apo “Le t’i hapim lojërat gjerësisht”, ato do të përçojnë mesazhin e shkrirjes së mureve mes qytetit e stadiumit, teksa spektatorët do të kenë rastin të ndihen të lidhur me vetë garuesit. Kjo mundësi për Vatovcin dhe shumë persona të tjerë me aftësi të kufizuara në Kosovë vjen me rastin e anëtarësimit të Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.

Image
Egëzon Vatovci: “Me na përkrahë më shumë sepse do të jemi zëri i personave me aftësi të kufizuara, do të jemi shtytja e motivimi më i madh”

Vetë Vatovci thotë se kjo është ndjenjë e papërshkrueshme për të.

“Në basketboll më së shumti dua të arrij ta përfaqësoj vendin tim. Jam duke u rrëqethur prej tash”, shprehet ai, me shumë emocion. “A ka ndjenjë më të paharrueshme, sakrificë më të madhe? Diçka që të bën të lumtur”.

Këtë mundësi e sheh si potencial për t’i treguar botës ëndrrat e qëllimet e tij, teksa në këtë ngjarje botërore do të përfaqësohet duke luajtur basketboll me karrocë, me të cilën do të sfidohet për të parën herë.

“Vështirë ka me qenë shumë për mua si person me nevoja të veçanta, do të ketë karrocë speciale. Është ndjesi që po më shtyn të tentoj me dhanë ma të mirën”, shprehet 24-vjeçari.

Ai pranon se ato që e kanë shtyrë, pavarësisht kufizimeve fizike, që të mos ndalet së luajturi basketboll kanë qenë pikërisht modelet pozitive të sportistëve të kësaj kategorie nëpër botë dhe mundësia e njohjes së njerëzve të shumtë.

Ndërkaq trajneri me përvojë 18-vjeçare, Arianit Morina, thotë se Vatovci ka vullnet të jashtëzakonshëm për këtë sport.

“Ky ka qenë ai që gjithmonë ka dashur të hyjë në sfida dhe nuk kemi dashur asnjëherë me e injoru dhe e kemi shti në stërvitje me fëmijët e tjerë”, tregon ai. “Ka ardhur si i vogël, jemi të kënaqur që kemi pasur mundësinë me punu me këtë djalë”.

Nga momentet ku, sipas tij, Egzoni është motivuar më së shumti janë pikërisht garat sportive.

“Kudo që kemi shkuar nëpër Kosovë krejt e duan, edhe na e kemi pasur një respekt më të madh pse e kemi shty para”, thotë ai.

Nga kujtimet më të mira përgjatë rrugëtimit me basketbollin, Egëzon Vatovci çmon momentet kur ka fituar çmime.

Titulli i kampionit në garat regjionale të Mitrovicës në vitin 2013 është njëri prej tyre. Por pavarësisht trofeve, kushtet e kufizuara dhe sfidat janë ato me të cilat përballet në përditshmëri.

“Sfidat kanë qenë të gjata, kam pasur paragjykime në shoqëri”, thotë ai dhe kundërpërgjigjja e tij ka qenë që të mos ndalet përballë tyre. Kur liston sfidat, përmend edhe infrastrukturën për komunitetin me aftësi të kufizuara, që, sipas tij, mungon në shumicën e qyteteve. Mirëpo ajo që e ka mbajtur në linjë të rregullt ka qenë motivimi.

“Është pak vështirë nëse s’e ushtron dhe nëse s’i thua vetes s’mund ta bëj. Nëse është diçka që i thua vetes, do ta bëj, e bën, jam nis me atë pikëpamje dhe ja ku jam”, shprehet ai.

Vetë trajneri e pranon se një mbështetje më e fuqishme financiare do t’i shtynte sportistët e rinj si Egëzoni përpara. Ndërkaq ai kërkon kurajë nga institucionet, “jo veç para mediave”.

“Me na përkrahë më shumë sepse do të jemi zëri i personave me aftësi të kufizuara, do të jemi shtytja e motivimi më i madh. U bëj apel të gjithë personave me aftësi të kufizuara që të merren me sport dhe të udhëtojnë ngado”, përfundon ai.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.