Kosova ka dhjetëra apo qindra sportistë me aftësi të kufizuara që ëndërrojnë për pjesëmarrje në Lojërat Paralimpike. Mundësinë për t’u paraqitur në ngjarjen më të rëndësishme shumësportëshe do ta kenë në vitin 2024, kur edhe do të mbahen Lojërat Paralimpike në Paris. Madje, kanë edhe synime të mëdha në debutimin e tyre në këtë ngjarje. Vlerësohet se Kosova ka sportistë me nivel për të kërkuar medalje në ngjarjet e mëdha paralimpike. Pas pritjes shumë të gjatë dhe jo shumë të arsyeshme, Komiteti Paralimpik i Kosovës është pranuar në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, thotë se sportistët paralimpik i kanë model xhudistët e drejtuar nga trajneri më i mirë në botë i xhudos, Driton Kuka. Falë Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, Kosova ka tri medalje të arta olimpike. Pritjet për medalje nga xhudoja janë edhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. E nga Parisi, kryetarja Emini beson se edhe paralimpistët do të kthehen me medalje.
“Ambasadori ynë më i mirë që e ka Kosova dhe bota është Driton Kuka dhe unë uroj që të fitojmë sa më shumë medalje. Ne do të vazhdojmë me angazhimin dhe përkushtimin. Jam shumë e bindur që do të kthehemi nga Parisi me shumë medalje paralimpike. Janë shumë sporte ku ne besojmë se kemi sportistë me potencial të madh për të arritur suksese”, ka thënë Emini për KOHËN.
Lojërat Paralimpike mbahen pak javë pas Lojërave Olimpike, në vendin e njëjtë me Lojërat Olimpike. Organizimet janë madhështore, ndërsa pjesëmarrja e sportistëve me aftësi të kufizuara, masive. Komiteti Paralimpik i Kosovës është themeluar në vitin 2012. Prej atëherë janë zhvilluar dy edicione të Lojërave Paralimpike Verore e dy të tjera të Lojërave Paralimpike Dimërore. Kosova nuk ishte pjesë e tyre. Komiteti Paralimpik i Kosovës nuk ia doli të anëtarësohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Nuk kishte ndonjë pengesë të natyrës politike. Problemi ishte i organizimit jo të duhur të lëvizjes paralimpike në Kosovë.
“Ka qenë një humbje për sportistët paralimpikë, por edhe për vendin tonë që të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare, sepse në Kosovë ka sportistë me potencial”, është shprehur Emini.
Komiteti Paralimpik i Kosovës nën ombrellën e tij ka 10 federata dhe 52 klube. Ajo thotë se kanë objektiva të qarta. Planifikohet të organizohen seminare për administratë të sportit, të klubeve dhe federatave.
“Tash është infrastruktura sportive emergjente. Kemi objektivat e qarta. Në shtator do të organizojmë seminare për administratorë të sportit, klubet dhe federatat. Nuk është ideja të themelohen vetëm si klube dhe të plotësohen kriteret, por ato të jenë aktive për të qenë të gatshëm për ‘Parisi 2024’”, ka thënë Emini.
Por, ajo ka ngritur një shqetësim.
“Personat me aftësi të kufizuara nuk e kanë sfidën vetëm në sport, sepse ju e dini edhe sallat se si janë, rekuizitat. Ne kishim lojërat parasportive në Vushtrri dhe garat që u organizuan në basketboll me karrocë, volejbolli ulur, boça, pingpong, tenis me karrocë, siguruam disa rekuizita nga donatorë, por për basket me karrocë nuk kishim. Një karrocë adekuate për sportin e basketbollit kushton 5.000 apo 6.000 euro, por njëjtë është edhe te boça, ndërsa volejbolli luhet ulur”, ka theksuar Emini.
Në Kosovë nuk kanë munguar organizime të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara. Së fundi është mbajtur një e tillë në Vushtrri. Por, Emini insiston se duhet mbështetje për të qenë të suksesshëm edhe paralimpistët.
“Tash duhet të investojmë edhe në resurse njerëzore, por edhe gjyqtarët, trajnerët sportivë, administratorët sportivë, sepse tash është puna serioze në kuptimin e përgatitjes së trajnerëve, por edhe të sportistëve tanë që të jenë në gjendje të marrin pjesë në ngjarje të mëdha botërore. Unë jam jashtëzakonisht e sigurt sepse po e shoh potencialin, energjinë. Nuk kanë munguar aktivitetet sportive me aftësi të kufizuara, por mos harroni që asnjëherë nuk ka qenë mbështetja e duhur për sportin paralimpik, nuk ka qenë asnjëherë mbështetja e duhur për personat me aftësi të kufizuara”, ka deklaruar Emini.
Emini pret që në një të ardhme të shpejtë të ndërtohet një palestër multisportive për persona me aftësi të kufizuara. Në fakt, problemi me infrastrukturë në Kosovë është i përgjithshëm.
“Në tryezën për sport e adresova kërkesën që të bëhet një palestër multisportive për personat me aftësi të kufizuara që të përgatiten dhe të zhvillojnë gara të ndryshme. Të gjitha garat në salla duhet të jenë një person tjetër që ta ndihmojë. Ata janë të pavarur, por gjithçka që është e nevojshme është minimumi ndërtimi i një palestre multisportive dhe të bëhet e mundur qasja e tyre në të gjitha objektet sportive”, ka thënë Emini.
Emini beson se Kosova ka talente që mund ta ngrenë flamurin lart në ngjarje të mëdha botërore. Një prej tyre është Grevist Bytyqi, atleti i Malishevës. Ai nuk e ka njërën dorë, ndërsa garon me sportistët me aftësi të plota. Dhe është goxha i suksesshëm në nivel vendi.