Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Basketbollistët e rinj të Kosovës kërkojnë suksesin në Evropianin në Shkup

Një ditë para ndeshjes së parë në Kampionatin Evropian të Divizionit B, trajneri i Përfaqësueses U20 të Kosovës në basketboll, Dritëro Sefaja, ka bërë publike listën finale të lojtarëve që do të paraqiten në këtë ngjarje.

Sefaja ka përzgjedhur 12 lojtarë për turneun në Shkup të Maqedonisë së Veriut, i cili ka nisur të premten dhe do të zhvillohet deri më 16 korrik.

Kosova U20 do të përballet me Suedinë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Ukrainën, të cilat përfaqësuese janë pjesë e Grupit C. Ndeshjen e parë Kosova U20 do ta luajë të shtunën prej orës 13:30 kundër Gjeorgjisë.

“Dardanët” e rinj janë përgatitur maksimalisht për një paraqitje sa më të mirë në këtë ngjarje. Ata para tri javësh kanë nisur grumbullimin në Prishtinë. Te Kosova optimizmi është i madh dhe synimi është që të përfundojnë në mesin e 16-të përfaqësueseve më të mira të divizionit B. Kështu ka insistuar trajneri Dritëro Sefaja. Gjithsej janë 20 përfaqësuese.

“Pritjet tona janë të ngjashme sikurse vitin e kaluar, pra të futemi në mesin e 16-të më të mirave në Kampionatin Evropian. Tentojmë të fitojmë të paktën një lojë në grup që të kalojmë për të luftuar prej vendit 9 deri 16. Edhe pse tentimi ynë është të shkojmë sa më lart, por do të shohim. Kemi një energji të re në ekip dhe kjo është e rëndësishme, pasi do të aplikojmë një lojë të shpejtë për të arritur diçka më shumë”, ka thënë Sefaja.

Optimizmi nuk mungon as te lojtarët, përfshirë këtu qendrën Albatrit Syla, i cili është pjesë e gjeneratave të reja të ekipit nga Finlanda Omnia Espoo. Syla, 202 cm i gjatë, më herët ka luajtur për Kosovën U18, ndërsa tani thotë se ndihet i gatshëm edhe për gjeneratën U20, me të cilën shpreson të ketë suksese në Maqedoninë e Veriut.

Edhe Pa forcën e zakonshme, por Kosova kërkon suksesin ndaj Sllovakisë Basketboll Pa forcën e zakonshme, por Kosova kërkon suksesin ndaj Sllovakisë

“Synimi është të japim maksimumin nga vetja dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje që është e mundur. Besoj se me grupin që e kemi, do të jemi të suksesshëm në këtë Evropian. Është ndjenjë e mirë ta përfaqësosh Kosovën dhe ndihem plotësisht gati për ta ndihmuar ekipin”, ka thënë Syla.

Vitin e shkuar, Kosova U20 përfundoi e 12-a në renditjen e përgjithshme të divizionit B, evropian që u mbajt në Gjeorgji. Vjet morën pjesë 19 përfaqësuese.

Kosova gjatë verës paraqitet edhe me grupmoshat e tjera të reja në kampionate evropiane.