Fitore e ngushtë, ishte e para e Përfaqësueses së Kosovës U18 në basketboll, në konkurrencën e femrave, në Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe, Divizioni B.
Basketbollistet “Verdhekaltër” arritën fitore me një pikë epërsi, 44:43, përballë vashave të Gjeorgjisë, që ishte e rëndësishme për pozitat 21-24.
Gjeorgjianet ishin më të suksesshme në çerekun e parë, duke e nisur atë furishëm e duke e mbyllur këtë etapë në të mirë të vet, 11:4, transmeton KTV.
Por, vetëm kaq nga Gjeorgjia U18, pasi Kosova e kësaj grupmoshe e udhëhequr nga trajneri Fidan Shatri, u këndell dhe e ktheu lojën në të mirë të vet, duke e mbyllur çerekun 15:10, e duke shkuar në pushim me vetëm 2 pikë disavantazh, 21:19.
Periudha e tretë e lojës ishte vendimtare në fitoren historike të këtij Evropiani, pasi në fund e mbylli në të mirë të vet 13:10, me një pikë epërsi 32:31.
10-të minutëshi i fundit ishte administrim i lojës nga kosovaret dhe u mbyll 12:12, me rezultatin final të përballjes, 44:43.
Edhe
Kosova U18 e treta në Evropianin e Divizionit C
Agnesa Rrahmani ishte basketbollistja më e dalluar te Kosova U18, me dyshifror të dyfishtë prej 11-të pikëve e 10-të kërcimeve, derisa ndihmë të madhe në fitore dha edhe Besjana Martinaj, që shënoi 8 pikë e po aq kërcime.
Kosova U18 që në këtë Evropian pësoi 6 humbje, dhe shënoi vetëm një fitore, ndeshjen e radhës dhe të fundit për pozitat 21-22, e luan të dielën kundër Shqipërisë.