Klubi i basketbollit Trepça është rikthyer për të garuar në Superligën e femrave në basketboll për sezonin 2021/22, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK).
Në njoftimin e FBK-së, thuhet se Trepça është futur në elitë me “Wild Card” për të cilën ka aplikuar pas tërheqjes së KBF Vushtrrisë.
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka vendosur që Trepça të garojë në Superligën e Femrave, pas plotësimit të kërkesave të shpallura në Konkurs. Trepça edicionin e kaluar ishte renditur e gjashta në Superligën e Femrave, duke rënë në një kategori më poshtë, megjithatë, pas tërheqjes së Vushtrrisë, do të garojë në elitën e femrave. Superliga e Femrave do të fillojë më 9/10 tetor”, thuhet në njoftimin e FBK-së.