Ndeshja ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, në kuadër të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në basketboll, e paraparë të zhvillohet të enjten mbrëma, është shtyrë për një datë tjetër. Anulimi i ndeshjes është bërë për shkak të dyshimeve për raste me koronavirus te skuadra e Sigal Prishtinës.
Këtë e kanë konfirmuar edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).
“Për shkak të dyshimeve se mund të ketë të infektuar me koronavirus, nuk kemi dashur të rrezikojmë që ndeshja të luhet, dhe kemi marrë vendim që ajo të shtyhet për një datë tjetër”, ka thënë Komesari i garave të basketbollit, Faton Kurshumlia për KOHËN.
Kjo është ndeshja e dytë e kësaj xhiroje që është anuluar për shkak të koronavirusit. Dueli ndërmjet Pejës e Bashkimit nuk është luajtur të mërkurën pasi te ekipi pejan janë konfirmuar dy lojtarë të prekur me koronavirus.