Sport

Bashkimi vazhdon bashkëpunimin me trajnerin turk Saglik

Trajneri nga Turqia, Furkan Saglik, do të jetë në krye të Bashkimit edhe për edicionin 2019/20 në Ligën e Femrave në basketboll, ka njoftuar të premten ekipi nga Prizreni.

Saglik ka arritur marrëveshje njëvjeçare me klubin dhe pas një muaji pritet t'i fillojë përgatitjet.

Ai ishte trajner i Bashkimit për një muaj në fund të edicionit të shkuar, ku ekipi nga Prizreni doli nënkampion i Kosovës. Saglik para se të vinte në Kosovë, ka punuar si trajner në Superligën e femrave të Turqisë, duke e drejtuar për disa vite skuadrën Ormanspor.

Para trajnerit Saglik, Bashkimi për edicionin e ri ka zyrtarizuar edhe dy basketbolliste, Arbnore Përqukun e Saranda Dacin.

Klubi ka paralajmëruar se së shpejti do të zyrtarizojë edhe përforcime të huaja, pasi në fillim të muajit shtator do të luajë ndeshjen e Superkupës kundër Prishtinës. Prishtina në edicionin e ri do të paraqitet edhe në EuroCup Women.