Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bashkimi i fortë për Istogun

Skuadra e Bashkimit ka regjistruar fitoren e dytë rresht në Superligën e Kosovës në basketboll. Në duelin e xhiros së 17-të, të luajtur të dielën mbrëma në Prizren, Bashkimi mposhti thellë Istogun me shifrat 90:73. Për Bashkimin, kjo është fitorja e gjashtë këtë edicion në Superligë, e cila e mbanë në pozitën e gjashtë në tabelë me 23 pikë. Ndërkohë, Istogu regjistroi humbjen e 16-të dhe mbetet i fundit në tabelë me 17 pikë të tubuara.

Edhe pse fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, Bashkimi shkëputjen e madhe në rezultat e bëri në çerekun e tretë.

Këtë çerek, Bashkimi e fitoi me rezultatin 22:3 duke krijuar epërsi që i mundësoi ta mbyll ndeshjen me fitore të thellë. Lejson Zeqiri me “double-double” prej 24 pikëve e 12 kërcimeve ishte më efikasi te Bashkimi, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe amerikanët Eric Copes e Jalan McCloud. Qendra Copes pati 20 pikë, 5 kërcime e 3 asistime, kurse fundori McCloud shtoi 19 pikë, 4 kërcime e po aq asistime.

Tek Istogu, i cili ishte në cilësinë e ekipit vendas në këtë ndeshje, më i dalluari ishte Arian Azemi me 23 pikë të shënuara.