Bashkimi ka mposhtur Pro Bet Prishtinën në derbin e Superligës së femrave në basketboll. Basketbollistet e Bashkimit triumfuan të dielën në Prizren me 12 pikë dallim ndaj liderit, Prishtinës.
Rezultati përfundimtar ishte 75:63. Khadija Brown Haywood me 22 pikë e shtatë asistime ishte më efikasja te Bashkimi, shkruan “Koha Ditore”. Gresa Gashi pati 20 pikë e tetë asistime, ndërsa qendra amerikane Anastasia Williams realizoi dyshifrorë të dyfishtë prej 17 pikëve e 18 kërcimeve.
Dyshifrorë të dyfishtë pati edhe Aulona Muhadri me 10 pikë e 13 kërcime. Te Prishtina më efikasja ishte Emelinda Shatri me 20 pikë e nëntë kërcime, Irma Konjusha realizoi 15 pikë, ndërsa qendra amerikane Monasia Bolduc pati tetë pikë e 16 kërcime.
Në të vërtetë Prishtina kishte nisur më mirë ndeshjen dhe e mbylli çerekun e parë me 16:12. Por më pas erdhi kthesa e Bashkimit, ku çerekun e dytë e mbylli me nëntë pikë epërsi. Skuadra prizrenase vazhdoi të mbante epërsinë deri në fund, dhe vetëm sa e shtoi atë.
Për Bashkimin kjo është fitorja e tetë këtë stinor, karshi tri humbjeve. Ndërsa Prishtina ka pësuar humbjen e dytë, karshi nëntë fitoreve.