Bashkimi dhe Prishtina do të përballen në finalen e Kupës së Kosovës në basketboll, në konkurrencën e femrave. Ndeshja do të zhvillohet më 7 shkurt në Suharekë.
Si Bashkimi ashtu edhe Prishtina, kanë fituar ndeshjet gjysmëfinale të luajtura të enjten. Bashkimi e mposhti në Prizren skuadrën e Penzës me rezultatin 80:76.
Te Bashkimi më të dalluarat ishin LejZae Davidson me 36 pikë të shënuara derisa Aisha Balarabe shtoi 14 pikë e 26 kërcime. Te Penza më efikaset amerikanet Gabrielle Cooper me 21 pike e Ashlie Howell me 17 pikë të shënuara.
Në gjysmëfinalen tjetër, Prishtina triumfoi bindshëm në Gjakovë ndaj Vëllaznimit me shifrat 89:66. Amerikania Alexis Tolefree udhëhoqi Prishtinën drejt triumfit me 34 pikë të shënuara kurse Enxhi Xhanaj shtoi 20 pikë e 18 kërcime.
Sarah Mgbeike me double-double me 25 pikë e 24 kërcime dhe Raven Baker me 15 pikë të shënuara ishin më efikaset te Vëllaznimi.