Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bashkimi e fiton derbin e Prizrenit

Bashkimi e ka fituar derbin e Prizrenit në elitën e basketbollit të Kosovës. Bashkimi të dielën fitoi ndaj Ponte Prizrenit me katër pikë epërsi, 77:73. Ishte ndeshje e xhiros së 24-t e Superligës së Kosovës në basketboll. Ky ballafaqim, me kërkesë të Ponte Prizrenit, u zhvillua në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, pasi palestra “Sezai Surroi” në Prizren, ende është në renovim.

Bashkimi që në xhiron e kaluar u mposht nga Trepça, u kthye te fitorja dhe atë e arriti vetëm në çerekun e katërt, që ishte vendimtar në fitore. Ponte Prizreni fitoi dy çerekët e parë, 21:16 dhe 18:17, dhe shkoi në pushim me gjashtë pikë epërsi. Çereku i tretë ishte i barabartë, 20:20, kurse periudhën e fundit, Bashkimi e fitoi 24:14. Bashkimi shkon në kuotën e 35 pikëve në Superligë, me 11 fitore e 13 humbje.

Zë pozitën e pestë në tabelë. Për Ponte Prizrenin ishte humbja e pestë rresht në elitën e basketbollit kosovar dhe e 17-ta në gjithë sezonin. Kjo skuadër ka edhe shtatë fitore, ndërsa pozicionohet në vendin e parafundit. Më meritori për këtë fitore të Bashkimit ishte Daniel Lekndreaj që shënoi 21 pikë, 14 kërcime e pesë asistime.

Prentiss Nixon shtoi 13 pikë, tri kërcime e pesë asistime, ndërsa Qendrim Biraj pati nëntë pikë, gjashtë kërcime e tri asistime. Cameron Williams te Ponte Prizreni pati 19 pikë të realizuara, shtatë kërcime e katër asistime, ndërsa Urim Zenelaj shënoi 10 pikë, teksa realizoi edhe 10 kërcime e tri asistime.