Rubens Barrichello e sheh lidhjen familjare me motosporte te sytë e të birit të tij Eduardo, 17-vjeçar.
Nuk është befasi që disa nga gjenet që e kanë bërë Barrichellon njeriun e çeliktë të Formula 1 me 322 gara në këtë seri, janë bartur tek i biri, i cili po e gjen tash rrugën e vet në botën e motosporteve, shkruan sot Koha Ditore.
"Sinqerisht e shoh pasionin tim në sytë e tij kur gjendet brenda në veturë të garave, pasi mund të shoh se e do këtë më tepër sesa unë, dhe unë kam garuar për 40 vjet, kështu që është çmenduri", ka thënë Rubensi, 47-vjeçar, ndërsa ishte në garën "Toronto Indy" të dielën.
Në 19 vjet gara në Formula 1, përfshirë gjashtë stinorë me Ferrarin ku ishte pilot i dytë pas Michael Schumacherit, Barrichello fitoi 11 gara, përfundoi 68 herë në podium dhe dy herë ishte nënkampion në F1.
Një jetëgjatësi e tillë është e mundur vetëm falë pasionit. Vetëm koha do të dëshmojë nëse Eduardo ka shkathtësitë e njëjta dhe temperamentin që e kishte babai i tij.
(më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)