Sport

Bardhi i gatshëm për Barcelonën

Mesfushori i Levantes, Enis Bardhi, do të jetë i gatshëm për ndeshjen kampionale kundër Barcelonës, të cilën ekipi i tij e luan në “Camp Nou”.

Bardhi është rikuperuar nga lëndimi i muskulit të këmbës dhe të martën i është bashkuar ekipit në stërvitje, ka njoftuar “Mundo Deportivo”, transmeton Koha Ditore.

Shkaku i lëndimit, Bardhi i mungoi Levantes në dy ndeshjet e fundit që i humbi nga Osasuna (2:0) në kampionat dhe Sevilla (3:1) në Kupën e Spanjës.

Dueli ndërmjet Barcelonës dhe Levantes do të zhvillohet të dielën (2 shkurt, 21:00) në kuadër të xhiros së 22-të të La Ligas. Bardhi, 24-vjeçar, këtë edicion ka shënuar dy gola dhe ka bërë po aq asistime në 15 paraqitje në kampionatin spanjoll.

Levante zë vendin e 13-të në tabelë me 26 pikë, 17 më pak se Barcelona që është e dyta.

Bardhi është pjesë e Levantes prej vitit 2017 dhe ka kontratë deri në vitin 2022. Ai ka edhe 27 ndeshje e pesë gola të shënuar me Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut.