Deco është emëruar drejtor i ri sportiv te Barcelona, ka njoftuar klubi spanjoll të mërkurën. Ish-mesfushori i Portugalisë dhe Barcelonës ka firmosur kontratë për tri edicionet e ardhshme dhe tashmë është duke punuar në këtë afat kalimtar për ta bërë gati ekipin. Ai ka luajtur për Barcelonën katër vjet (2004-2008), ndërsa në vitin 2006 e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve.
“Deco do ta ketë rolin e drejtorit sportiv te Barcelona dhe së bashku me trajnerin Xavi dhe stafin e tij, do ta kompletojnë ekipin”, ka thënë Barcelona në njoftim. Deco 45-vjeçar në këtë post do ta zëvendësoj Mateu Alemanyn, i cili do të mbetet në klub deri në shtator, saktësisht në fund të afatit kalimtar. Barcelona ka theksuar se Deco dhe Alemany do të punojnë së bashku deri në ditën e fundit të afatit kalimtar dhe javët në vazhdim klubi do të njoftoj për pjesën tjetër të strukturës sportive.
Deco, i cili ka lindur në Brazil, ka shënuar 20 gola dhe ka bërë 45 asistime në 161 paraqitje për Barcelonën. Përforcimi më i madh i Barçës këtë verë, padyshim se mbetet mesfushori Ilkay Guendogan.
Ousmane Dembele u largua për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit, ndërsa Jordi Alba e Sergio Busquets vazhduan karrierën në SHBA. Barcelona e nisi mbrojtjen e titullit në La Liga me barazim pa gola kundër Getafes. Duelin e radhës, e luan të dielën kundër Cadizit.