Skuadra e Barcelonës i ka caktuar çmimin mesfushorit kilian Arturo Vidal, i cili ka kërkuar largimin nga “Camp Nou” gjatë janarit.
E përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo” ka shkruar të premten se Barcelona po kërkon 20 milionë euro dëmshpërblim për kartonin e Vidalit, transmeton Koha Ditore.
Kiliani nuk është i kënaqur me minutazhën te Barcelona dhe ka kërkuar largimin nga ekipi ndonëse ka kontratë deri në verën e vitit 2021.
Vidal, 32-vjeçar, këtë edicion ka regjistruar 19 paraqitje te Barcelona, duke shënuar pesë gola dhe asistuar një.
Ai te skuadra spanjolle u transferua vitin e shkuar nga Bayern Muencheni për 35 milionë euro. Ka luajtur edhe te Juventusi e Bayer Leverkuseni. Interesim për Vidalin ka treguar Interi.