Barcelona e ka fituar ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma. Të udhëhequrit e trajnerit Ronald Koeman, mposhtën vizitorët e Elches me rezultatin 3:0.
Ishte ndeshje e mbetur e xhiros hapëse në elitën e futbollit spanjoll. Lionel Messi ishte në formë të shkëlqyer duke shënuar dy gola, derisa një tjetër u realizua nga mbrojtësi i krahut të majtë, Jordi Alba. Messi golin e parë e shënoi tre minuta pas pushimit. Pas një depërtimi individual, në fund mori pasim të mirë nga sulmuesi Martin Braithëaite, e në fund nuk gaboi përballë portierit kundërshtar. Portierin e Elches, Edgar Badia, Messi e mposhti edhe në minutën e 69-t, kur realizoi pas asistimit që e mori nga mesfushori Frenkie de Jong. Në vitin 2021, asnjë lojtar nga top pesë ligat evropiane nuk ka më shumë gola të shënuar se Messi, i cili ka realizuar 13 herë në të gjitha garat, një më shumë se Robert Lewandowski i Bayernit. Në minutën e 73-t, në listën e realizatorëve u shënua edhe Jordi Alba kur u asistua nga Braithëaite. Pas 24 xhirove, Barcelona është në vendin e tretë me 50 pikë, dy më pak se Real Madridi, dhe pesë më pak se Atletico Madridi lider që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Elche është në vendin e parafundit me 21 pikë pas 23 ndeshjeve të luajtura.